Vendimi i apelit për Tahirin, PS: Maskaradat gjyqësore nuk na mbyllin dot gojën

Partia Socialiste ka reaguar sot lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit në Tiranë për cështjen Tahiri-Vokshi. Duke e quajtur absurd vendimin e apelit për lënien në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e kryetarit të partisë Socialiste të Tiranës, njëkohësisht deputet i kësaj partie, Sajmir Tahiri me 1 mln lekë gjobë, PS shpreh vendosmërinë për të mos heshtur për asnjë çast ndaj korrupsionit qeveritar, pavarësisht presionit të vazhdueshëm të pushtetit kriminal, që tashmë ka vënë në shërbim të goditjes së opozitës edhe segmente të caktuara të gjyqësorit.“Deputeti socialist ishte paditur nga deputetja e PD-së, Albana Vokshi, pasi kishte denoncuar aferat korruptive të koncesioneve të naftës. Pavarësisht argumenteve dhe provave të paraqitura nga deputeti socialist, trupi gjykues i përbërë nga Hysni Demiraj, që ka qenë dhe relatori i çështjes, Astrit Haxhialushi dhe Flutura Skënderi kanë vendosur të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së parë, duke shpallur fajtor deputetin socialist dhe duke e dënuar atë me një gjobë prej 1 milionë lekësh” sqaron më tej PS në deklaratën për mediat.Partia Socialiste e konsideron këtë vendim si një përpjekje absurde dhe krejtësisht të kotë, për të trembur opozitën dhe deputetët e saj, një përpjekje për të frenuar denoncimet e vazhdueshme të korrupsionit dhe abuzimin me pushtetin, që e kanë përmbytur këtë vend.“Por ky vendim i padrejtë nuk do të ndikojë aspak në vendosmërinë e PS dhe deputetëve të saj për të ngritur edhe më fort zërin në mbrojtje të pasurisë së shqiptarëve që po trajtohet si mall pa zot nga familjarët dhe klientët e oborrit kryeministror” përfundon deklarata e PS.