Juve mund Milan në kohën shtesë, vendos goli i Vuçiniç
Juventusi hakmerret ndaj skuadrës së Milan pas humbjes që kjo e fundit i shkaktoi në kampionat duke fituar supersfidën e çerekfinaleve të Kupës së Italisë. Pas 120 minutash të ethshme, bardh e zinjtë, falë golit të Vuçiniç kanë arritur të sigurojnë kualifikimin dhe përballjen në gjysmëfinale kundër skuadrës së Lacios. Në një takim mjaft emocionues, dy skuadrat kanë shpalosur një lojë mjaft të kënaqshme, që ka argëtuar dhe i ka dhënë më tepër vlerë këtij turneu i cili duket se ka rifituar popullaritet mes skuadrave të mëdha.Ndeshja ka filluar nën ritmin e Milanit, që nuk ka vonuar për të gjetur golin që në minutën e 6-të me një aksion perfekt të nisur nga këmbët e numrit 10 të kësaj skuadre, Boteng, dhe të finalizuar nga i zakonshmi El Sharaui. Por reagimi i bardhezinjve nuk vonon dhe goli i barazimit vjen vetëm 6 minuta më vonë. Xhovinko, merr përsipër ekzekutimin e një goditje dënimi të cilën e shndërron në gol duke treguar aftësitë e tij edhe në këtë aspekt pasi goli i shënuar prej tij është prej profesionisti të vërtetë. Më pas, ndeshja dhuron emocione dhe raste nga të dy skuadrat, por asnjëra nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës, edhe për shkak të ndërhyrjeve të sakta të Storarit nga njëra anë dhe të Amelias në krahun tjetër, pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-1, ndërsa në të dytën bie disi ritmi i lojës nga të dyja skuadrat që më shumë tregohen të kujdesshme në mbrojtje se sa luftojnë për të gjetur rrugën e rrjetës. Tentativat e pakta në 45 minutat e dyta bëjnë që skuadrat ti drejtohen shtesës për të nxjerr fituesin. Pikërisht në minutën e 5-të të shtesës së parë, Vuçiniç arrinë të mposhtë Amelian me një devijim vendimtar duke siguruar avantazhin 2-1 për Juventusin, që do të jetë më pas rezultati përfundimtar i ndeshjes, pasi bardhezinjtë i rezistojnë furisë së miqve për të mbyllur takimin me një fitore dhe me kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Pas kësaj fitore Bardh e zinjtë do të përballen me skuadrën e Lacios në gjysëmfinale. Ndërsa përballjet e tjera të vlefshme për Kupën e Italisë do të luhen në mesjavën e ardhëshme. Në datën 15 Janar, Inter pret në San Siro Bolonjën ndërsa në 16 Janar Fiorentina do të pres në shtëpi skuadrën e Romës. Fitueset mes këtyre dy çifteve do të përballen në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë