Merkato ndryshon imazhin e Partizanit
Ndryshimi i disa drejtuesve te skuadra e Partizanit duket se po fillon të japë frutet e veta dhe skuadra e demave po merr gjithnjë e më shumë formën e një skuadre që vitin e ardhshëm të jetë një rival i denjë për Superligën Shqiptare. Pas shumë viteve pritje, tifozëve të kësaj skuadre duket se u është rikthyer besimi për të parë edhe një herë skuadrën e tyre të zemrës në elitën e Futbollit Shqiptar. Projekti i nisur nga Presidenti i kësaj skuadre, Lulzim Sallaku, dhe bordi drejtues i përbërë nga shumë figura të njohura që kanë lënë gjurmë të skuadra e kuqe ka filluar të marrë jetë që në këtë merkato dimërore. Nëse një javë më parë te Partizani kishte stepje për të zgjedhur një formacion titullar për të rivalizuar denjësisht me kundërshtarët, pas disa blerjeve duket se trajneri i ri që do tu bashkohet demave do ta ketë të vështirë të zgjedhë formacionin e pare, pasi rivaliteti është rritur dhe skuadra është plotësuar me emra të rinjë pothuajse në çdo repart. Të vetmet reparte që akoma nuk kanë marrë një zgjithje përfundimtare janë ai i portierit dhe trajnerit. Pas largimit të Çoçllit, stoli i demave ka mbetur vakant por drejtuesit duket se i kanë synimet e qarta edhe për sa i përket trajnerit të ri. Tekniku që aktualisht drejton ekipin shkodran të Vllaznisë shihet si alternativë kryesore për të marrë drejtimin e Partizanit gjithmonë nëse Duro do të largohet nga skuadra Shkodrane. Duro ka qenë një pjesë e historisë së Partizanit dhe së bashku me miqtë dhe kolegët e tjerë të kësaj skuadre shihet si njeriu që mund ta ngrizë emrin e një prej ekipeve më të mëdha të kampionatit tonë, në vendin që i takon. Ndryshe nga trajneri, ku gjithçka varet nga largimi i tij nga shkodra, për sa i përket portierit po punohet fortë që të ofrohet në skuadër gardiani i portës së Tomorit Ervin Llani. Ky i fundit shihet si një alternativë e shkëlqyer që mund të ndihmojë skuadrën për tu ngjitur në superligë dhe për tu rikthyer në elitën e futbollit shqiptarë. Me lojtarët e ofruar deri tani dhe në rastë se realizohen edhe këto dy objektivat e fundit atëherë 11-shja kryesore e demave të kuq do të përbëhet nga ky Formacion. Në portë Llani, në mbrojte: Duqi, Alcani, Tafaj dhe Pashaj, në mesfushë: Sulçe, Ishka, Devolli dhe Çela. Ndërsa dyshja sulmuese do të përbëhet nga Malo dhe Frashëri. Trajner i ekipit mund të jetë Shpëtim Duro që me prurjet e reja do të kishte në dispozicion një skuadër premtuese për të ardhmen.