Mesi shkruan historinë, fiton “Topin e Artë” 2012
Gjeniu argjentinas Lionel Messi ka shkruar historinë e re në futbollin botëror, pasi ka fituar për të katërtën herë radhazi ‘Topin e Artë’. Federata Ndërkombëtare e Futbollit të hënën në një gala mbrëmje të mbajtur në Zurich, ka ndarë çmimet për më të mirët e vitit 2012.Ylli i Barcelonës, ka fituar garën ndaj rivalit portugez, Cristiano Ronaldos dhe mesfushorit spanjoll, Andres Iniesta. Messi, i cili është lojtari i parë në historinë e futbollit që ka fituar katër herë radhazi çmimin e lojtarit më të mirë të vitit, ai në vitin që tashmë ka ikur ka thyer një mori rekordesh, madje ka thyer edhe rekordin e legjendës gjermane, Gert Muller duke shënuar 91 gola brenda një viti kalendarik. Aktualisht Messi i prin listës së shënuesve më të mirë në La Ligë me 26 gola të shënuara.Reprezentuesi argjentinas tashmë nga njohësit e futbollit botëror konsiderohet lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Kurse epitetin e futbollistes më të mirë në botë, e ka fituar lojtarja e amerikane, Abby Wambach. Ndërkaq, selektori i Spanjës, Vicente Del Bosque është zgjedhur trajneri më i miri i vitit që tashmë e kemi lënë pas. Spanjolli fitojë garën ndaj Jose Mourinhos (Real Madrid) dhe Pep Guardiola (ish-trajneri i Barcelonës). Kurse trajnere e viti është zgjedhur përzgjedhësja e Amerikës, Pia Sundhage. Gjithashtu FIFA ka zgjedhur edhe ekipin më të mirë për vitin 2012.Skuadra më e mirë e zgjedhur nga shtëpia më e madhe e futbollit botëror kryesisht është e përberë nga lojtarët e Barcelonës dhe Real Madridit, skuadra këto që aktualisht janë më të mirat në rruzullin tokësor. Ja skuadra e zgjedhur nga FIFA: Casillas, Alves, Ramos, Pique, Marcello, Alonso, Xavi, Iniesta, Messi, Falcao, Ronaldo. Ndërkohë, çmimin për golin e më të mirit për vitin e kaluar të njohur si çmimi “Pushkash” e ka fituar Miroslav Stoch i Fenerbahçes. Goli i tij u vlerësuar më i mirë se i Neymarit dhe Falcaos.