Konflikti për pronësi, përplasje mes policisë dhe banorëve pas mbërritjes së fadromës
Vijojnë përplasjet dhe tensionet mes policisë dhe banorëve në ish-çerdhen 36 në zonën e “21 Dhjetorit”. Ndonëse 5 familje liruan shtëpitë dhe familjet e tjera dhanë dakordësinë për të liruar banesat, janë shtuar notat e tensionit në orët e mbrëmjes në këtë zonë, sidomos pas mbërritjes edhe të fadromës për prishjen e banesave.Banorët e njërës nga 12 familjet, pikërisht familja Zoto, që gjenden të strehuar në ish-çerdhen 36 kërcënojnë me mjete të forta, duke shfaqur rezistencë ndaj punonjësve të përmbarimit. Në vendngjarje gjendet edhe Policia e Shtetit për mbajtjen nën kontroll të situatës dhe shmangies së incidenteve të pakëndshme, ndërsa raportohet se kanë mbetur të plagosur lehtë tre banorë pas përplasjes së tyre me policinë private, ku këta të fundit vlen të theksohet se janë marrë nga pronarët për të bastisur banesat dhe për të marrë pronën, e drejtë kjo që u është diktuar nga ligji dhe dokumentet që disponojnë.Akti normativ në të gjithë Shqipërinë prek mbi 3000 familje, ai ka hyrë në fuqi në 1 nëntor dhe për familjet që nuk lënë shtëpitë zyrat e përmbarimit veprojnë duke i nxjerrë deri në dhunë jashtë godinës.