Menaxhimi i kufijve, Noka: Shqipëria jo më vend tranzit i drogës
Strategjia ndërministrore e nisur në vitin 2007 bëri të mundur perjashtimin e Shqipërisë nga vendet tranzit të drogës dhe trafiqeve të paligjishme duke e bërë vendin më të sigurtë.Gjatë konferencës së menaxhimit të integruar të kufitit ministri i brendshmë Flamur Noka pohoi se sfidat janë akoma të mëdha për policinë e shtetit dhe suksesi i mëtejshëm i strategjisë do të varet nga bashkëpunimi në nivel rajonal dhe ndërkombëtar."Që nga 2007 që u ngrit grupi për zbatimin e strategjisë për menaxhimin e integruar të kufijve ka pasur një sërë arritjesh. Menaxhimi i integruar i kufijve bëri të mundur që kufijtë tanë të jenë më të sigurtë dhe Shqipëria të mos jetë vend tranzit i drogave të forta. Është arritur që policia kufitare të godasë të gjithë përpjekjet e trafikantëve për futjen e drogave të lehta. Ne jemi të vendosur për një luftë me tolerance zero ndaj mbrojtjes së kufirit dhe goditjes së trafikantëve. Kufijtë janë të pakalueshëm për çdo element kriminal. Kemi patur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për ndihmën e pa kursyer në trajnime, asistancë teknike” theksoi Noka.I pranishëm në në këtë konference ambasadori i BE në vendin tonë Etore Sequi shprehu angazhimin për të ndihmuar policinë shqiptare.Në të njëjtën kohë Sequi tha se pritshmëritë e BE janë të mëdha nga Shqipëria.Ndërsa drejtori i policisë së shtetit Hysni Burgaj në fjalën e tij e vuri theksin tek rezultate e arritura nga policia kufitare gjatë vitit 2012.Sipas Burgajt, gjatë vitit të kaluar janë kapur 624 persona të shpallur në kërkim, 180 mijë euro të padeklaruara si dhe 115 raste të falsifikimit të dokumentave.