Lirimi i çerdhes 36 në Tiranë, tensionohet situata
Tensionohet situata mes policisë dhe banorëve në ish-çerdhen 36 në zonën e “21 Dhjetorit”.Policia e cila ka shkuar në këtë godinë për të zbatuar vendimin e Përmbarimit për largimin e 12 familjeve që jetojnë aty ka hasur në rezistencën e banorëve që jetojnë atje.Policia është konfrontuar me banorët të cilët nuk pranojnë të largohen duke theksuar se do të ngujohen brenda në godinë.Ndërkohë banorët të cilët jetojnë në ish-çerdhen 36 thonë se në këtë godinë ku strehohen nuk ka pronarë real dhe se favoret për një pronar të mundshëm janë bërë me falsifikimin e dokumenteve."Me dokumenta pronar i ligjshëm është vetëm shteti. Kryebashkiaku Basha na siguroi se nuk do të dilnim nga banesat tona. Kërkojmë që situata jonë të zgjidhet me qetësi dhe sipas ligjit për banesat tona. Bëjmë thirrje që të mos lejohet që ne të bëjmë vetëgjyqësi për problemin e banesave” theksuan banorët.Ndërsa një nga pronarët e truallit ka deklaruar për “Ora News” se banorët duhet ta kishin zgjidhur problemin e banesave prej vitesh.“Unë jam pronar i ligjshëm i truallit dhe ish-çerdhes 36. Ne kërkojmë të zbatohet ligji.Çerdhja është e privatizuar sipas ligjit dhe banorët kanë bërë shtesa pa leje në godinë. Banorët duhet të na mirëkuptojnë, prona është e imja dhe do ta marr sipas ligjit të shtetit shqiptar. Rezistenca e banorëve është e kotë, ata duhet ta kishin zgjidhur problemin e banesave prej vitesh. Ne po kërkojmë të zbatohet ligji i shtetit shqiptar, prona do të shkojë tek i zoti. Unë kërkoj që shteti dhe policia të më lirojë dhe të më kthejë objektin, që është pronë e imja” theksoi ai.Akti normativ në të gjithë Shqipërinë prek mbi 3000 familje, ai ka hyrë në fuqi në 1 nëntor dhe për familjet që nuk lënë shtëpitë zyrat e përmbarimit veprojnë duke i nxjerrë deri në dhunë jashtë godinës.