Basha: Po mbajmë premtimin, Tirana fillon nga pragu i derës së qytetarit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar sot punimet për rikualifikimin urban të bllokut 46, në njësinë bashkiake nr 9.Në fjalën e tij, Basha theksoi se bashkia ka mbajtur premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale.“Shpreh kënaqësinë që ky rikualifikim urban, i cili është edhe vepra e parë që inspektojmë në këtë fillim të vitit 2013, i paraprin në fakt shumë veprave të ngjashme në të gjithë lagjet e Tiranës, duke mbajtur kështu premtimet e dhëna para qytetarëve të kryeqytetit, për t’u ofruar një cilësi më të mirë jetese në qytetin ku ata jetojnë dhe duke bërë që në këtë qytet, pavarësisht nëse jetojnë në zonën që njihet si “Brraka”, në periferi apo në qendër, të jetohet, të punohet dhe të shijohet më mirë jeta për të gjithë grup-moshat” u shpreh kreu i Bashkisë Lulzim Basha.Blloku ka një sipërfaqe rreth 2.4 hektarë ndërsa vlera e investimit i cili parashikohet të përfundojë për 8 muaj është 47,4 milionë lekë.Në këtë bllok banimi do të ndërtohet dhe rikonstruktohet infrastruktura e plotë nën dhe mbitokësore, sikundër nuk do të mungojë edhe infrastruktura e përshtatshme për lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar.