Tregëtimi i gazit, METE: Do rrisim kontrollet
Tregtimi i gazit duhet të realizohet brenda të gjitha standarteve të kërkuara. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka reaguar me anë të një njoftimi për shtyp duke theksuar se do të rrisë kontrollet në këtë sektor si dhe do të nxjerrë jashtë përdorimit të gjitha bombulat që nuk përmbushin standartet e vendosura në ligj.METE thekson se ka kërkuar vazhdimisht nga strukturat përgjegjëse në varësi të saj angazhim dhe profesionalizëm në zbatimin e detyrimeve ligjore që lidhen me ushtrimin e kontrolleve në tregun e nënprodukteve të naftës, përfshirë këtu edhe GLN, për të garantuar normat e sigurisë në çdo impiant apo njësi tregtimi.Nën këtë kuadër ministria po konsideron edhe mundësinë e përmirësimit të kuadrit ligjor ekzistues të kësaj fushe, nëpërmjet realizimit të ndryshimeve të nevojshme ligjore apo nënligjore për rritjen e mëtejshme të sigurisë për pajisjet dhe impiantet që shërbejnë për depozitimin,ambalazhimin apo tregtimin e gazit.Më konkretisht, në periudhën në vazhdim METE do të ndërmarrë hapa konkrete në drejtim të rritjes së angazhimit të strukturave të varësisë, por edhe të bashkëpunimit me strukturat përkatëse të ministrive të tjera, në drejtim të rritjes së rigorozitetit në kontrollin e këtyre pajisjeve që përdoren në treg.