PDIU, reagon për programin e partisë greke Syriza
Pardia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar ndaj programit të partisë të opozitës greke SYRIZA, i cili trajton dhe marrëdhëniet me Shqipërinë.Në një deklaratë për shtyp, PDIU thekson se kjo parti në programin e vet qeverisës, në lidhje me Shqipërinë, ka pozicione më ekstremiste se partitë qeverisëse, dhe në linjë me ekstremizmin antiperëndimor grek, duke na afirmuar përbërësen antiperëndimore të shoqërisë greke, qoftë djathtas me Agimin e Artë, qoftë majtas me SYRIZËN.Sipas PDIU-së, në lidhje me çështjen çame SYRIZA thotë se nuk duhet të pranohen dhe të konsiderohen si absurde pretendimet pronësore të këtij komuniteti që, sipas tyre, paskësh bashkëpunuar me pushtuesit dhe u largua vetë nga Greqia në fund të Luftës së dytë botërore."Me përfshirjen në programin e vet të çështjes çame, kjo parti e skenës politike greke, afirmon me forcë se çështja çame ekziston. Por sigurisht çështja çame nuk ekziston siç e kuptoka Siriza- si çështje pronash, por si çështje drejtësie europiane, siç paraqitet në rezolutën e dorëzuar nga PDIU në parlamentin shqiptar. PDIU dhe Shoqata Çamëria dënojnë me forcë deklaratat antihistorike të SYRIZA sipas të cilës shqiptarët e Çamërisë qenkëshin bashkëpunëtorë të nazizmit. Kjo është një dyfytyrësi e kësaj partie që pretendon se origjina e saj është nga EAM (fronti antifashist grek). Pikërisht në këtë front, që SYRIZA po deklaron se paskësh origjinën, kanë marrë pjesë edhe mijra shqiptarë të Çamërisë, themelues dhe të inkuadruar në Batalionin IV "Ali Demi". Këtë fakt historik SYRIZA e di shumë mirë, sikurse di që mijra shqiptarë të tjerë të Çamërisë themeluan dhe u inkuadruan në Batalionin "Çamëria" të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare” thekson PDIU.PDIU-ja thekson më tej se duke mbështetur nazistët e EDES që u turrën mbi një popullsi të pafajshme si shqiptarët e Çamërisë, SYRIZA e barazon veten me Agimin e Artë, teksa të dyja kanë për heronj Napoleon Zervën dhe bashkëtradhëtarët e tij. “Megjithëse kjo parti drejtohet nga një politikan i ri, ai rezulton se është më i prapambetur sesa vetë Presidenti grek, Karolos Papulias në gjykimin e çështjes çame. Zoti Papulias një ish luftëtar i rezistencës greke, në fillim të viteve 90, me cilësinë e ministrit të jashtëm pohonte se kjo çështje për zgjidhjen e saj kërkon të kalojë njëfarë kohe, sa të qetësohen plagët e krijuara. Është për keqardhje, një prapambetje kaq e madhe e dikujt që as e ka njohur personalisht Luftën e dytë, dhe as ka lexuar historianët e duhur për ta kuptuar atë” thekson PDIU.PDIU-ja thekson se këto deklarata të SYRIZA-s të cilat janë propaganda zyrtare greke prej vitit 1948, kur vendosën që brenda ditës të ndryshonin historinë, kanë një qëllim të vetëm, të krijojnë përshtypje të gabuara në institucionet ndërkombëtare. “Është e qartë tashmë që shteti grek dhe partitë politike greke e dinë se çështja çame është një hap përpara zgjidhjes dhe prandaj kanë vendosur të gjitha mekanizmat e tyre në një luftë balte, që në fakt mendojnë se është shpresa e tyre e fundit. Por, dielli nuk mbulohet dot me shosh dhe e drejta e patjetërsueshme e shqiptarëve të Çamërisë nuk mund të mbulohet nga mashtrime të ulëta të partive politike greke apo të të porositurve të tyre në Tiranë. Këto qëndrime tregojnë panikun që ka kapur mbështetësit e Napoleon Zervës dhe faktin që çështja çame është më pranë zgjidhjes se kurrë më parë. PDIU dhe Shoqata "Çamëria" do të vazhdojnë punën e tyre deri në fund, duke nisur nga miratimi i rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame në Kuvend. Këto fishekzjarre paraelektorale të tipit SYRIZA dhe Agimi i Artë nuk mund të na ndalojnë” thuhet më tej në deklaratën e PDIU-së.