Berisha shënon dopiet personale
Besart Berisha e ka filluar me dopiet vitin 2013. Pas golit të shënuar që në 1 Janar ndaj Uellington Feniks, Bomberi kampionatit Australian i ka shtuar edhe dy të tjerë bilancit të tij sezonal, ndonëse ata nuk e kanë ndihmuar skuadrën e Brisbein Roar të fitojë, pasi këta të fundit janë mundur 3-2 nga Melburn Hart.Sulmuesi shqiptar ka shënuar golin e parë me penallti në minutën e 74-t, ndërsa vetëm dy minuta më vonë ka çuar shifrat në 3-2. Pavarësisht përpjekjeve të shumta të tij dhe skuadrës për të gjetur të paktën barazimin, nuk ia ka arritur dhe Brisbein ka regjistruar në këtë mënyrë humbjen e 8-të të këtij sezoni.Me dygolëshin e shënuar Berisha ka arritur të shënojë 8 gola në 15 ndeshjet ku është aktivizuar. Por duhet theksuar se sulmuesi shqiptar ka pasur probleme të vazhdueshme me formën fizike për shkak të dëmtimeve në javët e para ndërsa tani është rikthyer të luaj dhe të shënojë gola për skuadrën e tij që këtë vit nuk duket në rendimentin e duhur.