Rama në Twitter: FRD të çlirohet nga komplekset, LSI të zgjedhë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka nisur konferencën në rrjetin social “Twitter” ku në kohë reale u përgjigjet të gjitha pyetjeve të bëra nga qytetarët.I pyetur nga një emigrant se përse çdo parti nuk futet në zgjedhje pa aleatë në mënyrë që të mos bëhen pazare dhe kompromise, kryesocialisti Rama përgjigjet: “Jemi përballë një regjimi.Duhet një front opozitar pa paragjykime. Prioriteti i parë është largimi i regjimit me votë mbarëpopullore”Kreu i opozitës është pyetur edhe për zgjedhjet e 23 qeshorit ku është shprehur: "Jam i bindur se në muaj e mbetur do të fitojë bindja se çdo vote vlen. Sa më shumë në votim aq më pak shanse për manipulim!” shkruan Rama.Kryesocialisti Rama është shprehur gjithashtu se PS-ja është e angazhuar për uljen e taksës mbi energjinë në 6% por fillimisht sipas tij duhet të ristrukturohet sektori. “Jo disa paguajnë disa jo!” shkruan Rama.Rama ka shtuar më tej se programi i PS-së për një Rilindje Shqiptare do të jetë plani më i detajuar qeverisës që një parti ka pasur para zgjedhjeve në 22 vjet.I pyetur edhe çfarë opinioni ka për Lulëzim Bashën si kryetar bashkie, kryesocialisti Rama ka theksuar: “Më kujton Tit Sojlin, marifetçiun e rrugëve të Tiranës që gjente derdimenë dhe u shiste çfarë nuk kishte!”Rama është pyetur nëse do të ketë një koalicion me Partinë "Fryma e Re Demoktratike" apo me LSI-në në zgjedhjet e 2013-ës."FRD duhet të çlirohet nga kompleksi se bashkimi në frontin opozitar mund të shihet si tradhëti. Barazlargimi ndihmon regjimin! LSI duhet të zgjedhë:Patericë e regjimit apo krah opozitar!Duke zgjedhur opozitën do bënte edhe një akt vullneti të mirë për t'u ndarë nga hija e një të shkuare të palavdishme në pushtet” thekson Rama.Rama është shprehur optimist që Partia Socialiste do t`i fitojë zgjedhjet e 2013-ës. "S'kam humbur nw 2009 s'do humbas në qershor. Ne 2009 humbi Shqipëria e vjedhur në votë. Në qershor Shqipëria do fitojë" shkruan Rama.