Tensionet në Preshevë, Berisha: Serbia dëshmoi albanofobinë

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, më një deklaratë për shtyp ka shprehur sot shqetësimin e tij në lidhje me deklaratat kërcënuese të Beogradit në drejtim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në deklaratën e tij Kryeministri Berisha ka thënë:“Prej disa javësh tensionet politike në Luginën e Preshevës po rriten si rezultat i një kërcënimi nga  autoritet e Beogradit për heqjen e monumentit të Martirëve të Lirisë që ranë në trojet e tyre etnike në mbrojtje të lirisë dhe të drejtave njerëzore të shqiptarëve të Preshevës, të mohuara atyre nga  regjimi barbar i Sllobodan Milloshevicit. Ky kërcënim i autoriteteve serbe është një dëshmi tjetër e albonofobisë së politikës zyrtare të Beogradit.”“Ushtria Çlirimtare e Luginës së Preshevës lindi në kohën kur qytetarët shqiptarë të komunave me shumicë shqiptare në jugun e Republikës së Serbisë ishin, sipas raporteve te OKB-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, qytetarët më të shtypur të Europës e madje ndofta të botës.”“Me luftën dhe sakrificën e tyre sublime luftëtaret e lirisë i imponuan regjimit të Milloshevicit një marrëveshje me ndërmjetësim ndërkombëtar, zbatimi i të cilës është jetik për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptare dhe i domosdoshëm për paqen e stabilitetin në rajon. Shtojmë këtu se në çdo vend të lirë janë autoritetet vendore dhe jo ato qëndrore që vendosin për monumentet historike apo kulturore që duan të ngrenë në territorin e njësisë së tyre vendore.Marrja e këtyre kopetencave autoriteteve lokale të Preshevës nga qeveria e Beogradit përbën shkelje flagrante të Konventave Europiane për liritë dhe të drejtat njerëzore, autonominë e autoriteteve vendore dhe asaj për minoritetet. Republika e Serbisë si anëtare e Këshillit të Europës është e angazhuar dhe e detyruar ti respektojë ato.”“Qeveria shqiptare  ka bërë përpjekje serioze për uljen e tensioneve në Luginën e Preshevës. Ajo ka inkurajuar  qëndrimin konstruktiv dhe pjesmarrës të pakicës shqiptare në Serbi në jetën e vendit. Por qëndrimi  i fundit  i autoriteteve të Beogradit,  mosrespektimi deri në alergji i të rënëve të kombit shqiptar nga ana e tyre është një provokim ndaj mbarë shqiptarëve, përpjekjeve të tyre serioze për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajon nëpërmjet ndërtimit të marrdhënieve të reja me fqinjët e tyre.”“Qeveria shqiptare i bënë thirrje autoritetve të Beogradit të lënë mënjanë praktikat e vjetra albanofobe, të respektojnë pakicën shqiptare që jeton në trojet e veta etnike në Serbi dhe jep ndihmesën e saj në stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.”“Qeveria shqiptare i bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të mos provokohen në asnjë rrethanë nga ata të cilët kanë vetëm një qëllim, të spastrojnë etniksht komunat e tyre, ti largojnë ata me një mënyrë apo një tjetër nga trojet e tyre etnike mijëravjeçare.  Vërtetë vandalët mundet me forcën dhe dhunën shtetërore të rrënojnë një përmendore të luftëtarve, atë të Martirëve të Lirisë së shqiptarëve por ky është vetëm akt frike. Të rënët tanë nuk vdesin kurrë.”