Emigrantët lënë vendin, situatë e qetë në pikat kufitare

Vijon kthimi i emigrantëve shqiptarë përmes pikëkalimeve kufitare që lidhin vendin tonë me Greqinë. Pasi kanë kaluar në Shqipëri festat e fundvitit, emigrantët i janë drejtuar vendit të tyre të punës, ndërsa të dhënat nga pika doganore e Kakvijës flasin për më shumë se 30 mijë shtetas të dalë që nga fillimi i 2013.Ndërkaq mësohet se hyrje-daljet, krahasuar me një vit më parë, në Kakavijë janë rreth 30% më të ulëta, ndërkohë që në ditët e para të 2013-ës dhe volumi i shkëmbimit tregtar me shtetin grek paraqitet më i ulët, për shkak të rënies së kërkesës për mallra dhe mungesës së ofertave të favorshme.Ndërkaq në Kapshticë, në 24 orët e fundit kanë dalë 3211 shtetas shqiptarë me 747 mjete dhe 236 shtetas të huaj me 146 mjete. Gjithashtu në 24 orë kanë hyrë nga Kapshtica 1896 shqiptarë me 409 mjete dhe 201 të huaj me 11 mjete.Situata është e qetë edhe në Qafë Thanë, ku në 24 orë kanë hyrë 486 shqiptarë me 156 mjete dhe 573 shtetas të huaj me 210 mjete.