Shqipëria kryeson SEECP, Nishani: Fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal

Rumani- Shqipëria ka marrë nga Rumania kryesinë e radhës të Organizatës së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Me këtë rast, presidenti Bujar Nishani dhe homologu rumun, Basesku mbajtën një konferencë të përbashkët në mbyllje të punimeve në Bukuresht. Kreu i shtetit shqiptar tha se Shqipëria e merr mandatin me besimin dhe përkushtimin për të plotësuar të gjitha objektivat“Presidenca shqiptare do të synojë rezultate të prekshme për pjesëmarrësit në SEECP dhe rajonin, si të tërë, duke e fokusuar aktivitetin e saj në forcimin e rolit rajonal, promovimin e dialogut ndërmjet anëtarëve të SEECP-it dhe konsolidimin e rëndësisë sektoriale të organizatës, të cilat do të përbëjnë edhe shtyllat kryesore të aktivitetit tonë”.Nishani vlerësoi se bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë janë shtylla që garantojnë paqen, sigurinë e stabilitetin dhe njëherësh parakushte për integrimin në Bashkimin Europian.“Republika e Shqipërisë mbetet e përkushtuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal. Roli i Shqipërisë në rajon është aktiv dhe konstruktiv, sepse ne besojmë se edhe interesave kombëtare shqiptare u shërbehet më së miri me një rajon në paqe e stabilitet të qëndrueshëm, të integruar në institucionet euroatlantike”.Në këtë frymë presidenti Nishani tha se pjesëmarrja e Kosovës në SEECP është shumë e rëndësishme, jo vetëm për vetë Kosovën, por edhe për rajonin tonë në tërësi. “Pjesëmarrja e Kosovës në SEECP është shumë e rëndësishme, jo vetëm për vetë Kosovën, por edhe për rajonin tonë në tërësi.Bazuar në Parimet e Kartës së SEECP-it dhe marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuara nga Bashkimi Evropian sipas së cilave, asnjëra palë nuk do të pengojë dhe nuk do të inkurajojë një palë të tretë të bllokojë përparimin në rrugën e integrimit evropian, Shqipëria ka mirëpritur pjesëmarrjen e Kosovës në veprimtaritë e SEECP-it gjatë vitit të kaluar dhe përshëndet vendimin për ta ftuar Kosovën që të marrë pjesë në mënyrë të përhershme në veprimtaritë dhe takimet e të gjitha niveleve dhe në kushte të barabarta të SEECP-it”.