Mediat varen nga politika dhe tenderat, OSBE: Qeveria të garantojë konkurencën

Tiranë- Media shqiptare është e rrezikur nga kapja politike për shkak të paqendrueshmërisë ekonomike. Kështu ka deklaruar ambasadori i OSBE-së, Florian Rauning, ku për këtë situatë fajëson dhe qeverinë që sipas tij ashtu si dhe me bizneset e tjera, i takon të sigurojë një kuadër për konkurim të drejtë në treg.“ Janë shumë media për një treg të vogël dhe të pakonsoliduar mirë. Sektori tregëtar që po zhvillohet ndjeshëm duhet të konsolidohet. Dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes proçesit të filtrimit të tregut. Ashtu si dhe për bizneset e tjera i takon qeverisë të sigurojë një kuadër për konkurim të drejtë në treg” tha ai.Ambasadorit Rauning, foli për një trekëndësh problematik të biznesit, politikës dhe pronarëve të mediave, ku sipas tij reklamat shtetërore përdoren si mjet për klientelizimin e medias.“Siç shprehet dhe një studim i Institutit Shqipëtar të Medias, mediat gjenden mes të një sanduiçi midis politikës dhe biznesit. Kjo na drejton tek çështja e subvencionimit të mediave nga bizneset e tjera të pronarëve të tyre, marrëdhëniet e pronarëve të mediave me politikën, dyshimet për shpërndarje të reklamave shtetërore politikisht dhe të klientelizimi i medias” theksoi Ambasadori.Deklaratat e ambasadorit Rauning erdhën gjate tryezës rajonale për promovimin e lirisë së medias, ku ndër të tjera kërkoi nga parlamentarët shqiptarë që të gjejnë gjuhën e përbashkët në zgjedhjen e strukturave të AMA-s dhe RTSH-së.