Rrëfehen myslimanët e Lazaratit: Ja pse nuk e mbollëm hashashin në ara
Lazarat- Ironike, por fshati i drogës, Lazarati ka edhe banorë që kurrë nuk janë bërë pjesë e këtij aktiviteti. Bledar Bejko thotë se kanë qenë bindjet e tij për një jetë të moralshme dhe brenda të ligjshmes, që e kanë ndalur, ndërsa i është dashur të përballet me paragjykimin e bashkëfshatarëve të tij.“Arsyeja kryesor nuk diskutohet është besimi që ne ndjekim, unë jam mysliman, jam nga ata që ne shpesh i quajmë praktikantë. Pastaj nuk diskutohet është dhunti e Zotit, pas kësaj është dhe edukata që kemi marrë në familje padiskutim. Fakti tregoi se u nxituan realisht disa prej tyre, shumica kishin kohë që u ishte rënduar shumë gjendja psikologjike dhe shpirtërore, për të mos harruar fitimin, por puna është që gjendja shpirtërore as nuk shitet as nuk blihet. Ata e kërkonin prej kohësh këtë gjë, vetë fshati thoshin kur do iki, kur do largohet kjo e keqe. Ndoshta është për tu diskutuar tani mënyra sesi u hoq, kjo është tjetër gjë, por që shumica thoshin që duhet patjetër të iki, kjo është një e vërtetë reale”tregon ai.Aksionin e policisë në Lazarat, ky banor i ligjshëm i tij e cilëson të dëshiruar, ndonëse nuk mungojnë rezervat për mënyrën e kryerjes së tij.“Tregon se ka bërë goxha dobi.Nuk diskutohet fare që ne kemi qenë që nga fillimi jo vetëm për mbledhjen e hashashit, por për shumë gjëra që janë në natyrën njerëzore. Natyra njerëzore anon gjithmonë nga e keqja. Feja islame këshillon, e keqja të goditet në thelb” .Në ditën e 11 të operacionit policor Lazarati dalëngadalë po i kthehet normalitetit. Edhe pse banorët ndien ende të terrorizuar, madje dhe të irrituar nga kontrollet e vazhdueshme, herë pas here të përsëritura të policisë, pasi shumë prej tyre kanë humbur të ardhurat.