Berisha:Mandati i ardhshëm do të jetë për zhvillimin e fermave
Kryeministri Berisha ka qënë sot në qytetin e Peshkopisë ku ka vizituar panairin e të vjelave. Në fjalën e tij, kryeministri ka theksuar se mandati i ardhshëm i qeverisë do të jetë për zhvillimin e fermave. Ndërsa vlerësoi prodhimet shqiptare si mjaft të mira, kreu i qeverisë premtoi se qeveria do bëjë gjithçka për suksesin e fermerëve dhe për 5 fishimin e prodhimeve të tyre."Unë jam sot, këtu, për t`u zotuar para jush se në vitet që vijnë subvencionet do të njohin rritjen më të madhe. Në rast se kemi investuar 370 milionë lekë, nga të cilat kanë përfituar mbi 2 mijë fermerë, do të investojmë trefishin, gjatë viteve që vijnë dhe do të rritet tre herë numri i fermerëve që do të përfitojnë nga subvencionet, për krijimin e fermave të tyre moderne. Kemi investuar rreh 420 milionë lekë në mbrojtjen e tokave nga Drini, si dhe në sistemet e vaditjes. Ju garantoj se mandati që vjen do të jetë mandati i vaditjes me pika, në mbarë Shqipërinë, do të jetë mandati i rritjes dhe zhvillimit të fermave shqiptare" tha kryeministri.Ndërsa i është referuar statusit, kryeministri theksoi se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka për të plotësuar ëndrrën e shqiptarëve ndërsa u premtoi fermerëve dhe prodhimet e tyre do të lëvizin lirshëm në të gjitha shtetet e Europës."Këto ditë, Komisioni Europian vendosi të rekomandojë statusin e kandidatit për Shqipërinë. Kjo është rruga, me të cilën, njëlloj siç u hoqën vizat për ne, do të hiqen vizat për prodhimet tuaja. Prodhimet e mrekullueshme të fermerëve të Dibrës do të “ecin” pa dogana në të gjitha kryeqytetet e Europës. Kjo rrugë nuk ishte një rrugë e lehtë, nuk ishte bulevard i shtruar. Në këtë rrugë, ju, qytetarët e Dibrës e të mbarë Shqipërisë, derdhët lumenj djerse për t’u shkëputur nga varfëria dhe mjerimi që trashëguam. Kjo rrugë u bë e mundur, sepse ne vendosëm standarde europiane për rendin dhe sigurinë në Shqipëri. Shpartalluam mbi 206 banda kriminale, të cilat bashkëjetonin me pushtetin e të gjitha niveleve" tha Berisha.Kryeministri Berisha ndoqi edhe hapjen e edicionit të 14-të të festivali Folklorik “Oda Dibrane”, organizimin e të cilit e konsideroi një traditë e bukur e promovimit të trashëgimisë folklorike muzikore dhe veshjeve tradicionale të zonës.