Topalli me deputetët gjermanë: Integrimi, rruga e duhur
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti sot në takim deputetin e Bundestagut gjerman, Jens Ackerman. Kryetarja e Kuvendit dhe deputeti Ackerman folën për lajmin e bukur nga Brukseli për Shqipërinë dhe shqiptarët, për Statusin e vendit Kandidat.Kryetarja e Kuvendit tha se Gjermania dhe përfaqësuesit e Bundestagut gjerman kanë dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe rajonin në terma politikë, ekonomikë, ushtarakë të tjerë.Deputeti Ackerman uroi Kryetaren e Kuvendit për këtë arritje shumë të rëndësishme të Shqipërisë në rrugën e antarësimit në BE. Duke folur për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, zoti Ackerman tha se Shqipëria ka një potencial shumë të madh, veçanërisht në fushën e turizmit dhe kjo është një mundësi shumë e mirë për rritjen e numrit të turistëve gjermanë në Shqipëri. Pas takimit, Kryetarja e Kuvendit. Jozefina Topalli dhe deputeti i Bundestagut gjerman Jens Ackerman dhanë një deklaratë për mediat.“Folëm për lajmin e bukur për marrjen e Rekomandimit të Statusit të vendit Kandidat . Natyrisht falënderova Gjermaninë dhe përfaqësuesit e Bundestagut gjerman për mbështetjen e jashtëzakonshme që ky vend ka investuar në vendin tonë dhe në rajon”tha Topalli.“Unë mendoj dhe jam shumë optimist se Shqipëria ka një ardhme shumë të mirë përpara. Sigurisht që ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë, jo vetëm në nivel parlamentar, por edhe në nivel ministrish. Ju përmendët në fjalën tuaj bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, mendoj se pikërisht në fushën e turizmit, Shqipëria ka mjaft potenciale për të ofruar, për peizazhet që ajo ofron, peizazhet malore, bregdeti, natyra, njerëzit e sjellshëm dhe të dashur, mikpritës. Kjo është një mundësi mjaft e mirë për të prezantuar Shqipërinë në këtë fushë dhe Shqipëria pati një stendë të vetën, mjaft cilësore në Panairin e Turizmit që u zhvillua në Berlin”u shpreh Ackerman.Zoti Ackerman ndodhet në Shqipëri, në kuadër të projektit të përbashkët për dhënien e bursave studentëve shqiptar, të cilët do të bëjnë praktikën e tyre në Bundestagun gjerman.