Nishani-grevistëve:Shmangni përdorimin politik të grevës

Kreu i shtetit Bujar Nishani ka kërkuar sot që greva e urisë e ish të përndjekurve politik të mos përdoret politikisht.Në një takim me një përfaqësi të grevistëve, presidenti Nishani ka shprehur shqetësimin e thellë për pasojat fizike dhe psikologjike të grevistëve dhe familjarëve të tyre ndërsa bëri thirrje për shmangien e akteve të tilla.Ai gjithashtu ka theksuar se rrezikimi i jetës jo vetëm i dy pjesëtarëve të grevës, por edhe gjithë grupit të grevistëve dhe dhimbjes që shkakton, duhet të shmanget në respekt të vlerës që jeta ka.Sipas kreut të shtetit çdo zgjidhje duhet të kalojë përmes zbatimit të legjislacionit për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve politikë si një mundësi rehabilitimi social për këtë shtresë dhe jo thjesht si dëmshpërblim monetar.Në këtë kontekst, presidenti Nishani do të ndërmarrë nismën për ndjekjen në vijimësi të procesit të zbatimit të ligjit për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve politikë dhe për këtë do të kërkojë informacion të vazhdueshëm nga Ministria e Financave dhe e Drejtësisë për zbatimin e këtij ligji.