Interi nuk heq dorë nga Erik Lamela

Lamela ka kohë që është në qëndër të merkatos së Interit. Zi-kaltrit po kërkojnë të përforcohen për sezonin tjetër për ti dhënë mundësi trajnerit Mazzarri të ketë një skuadër sa më konkurruese. Argjentinasi pëlqehet shumë nga i gjithë ambienti interist. 22 vjeçari u transferua vjet nga Roma për në “ White Hart Lane “ për shifrën e 30 milion eurove por në asnjë moment nuk arriti të tregonte vlerat e tij të vërteta tek skuadra londineze.

Zi-kaltrit po kërkojnë lojtarë cilësor që mund të zgjidhin në çdo moment një takim dhe Lamela e ka talentin dhe klasin e mjaftueshëm për të qënë protagonist. Pengesa më e madhe për Interin është trajneri i sapo emëruar i Tottenhamit Mauricio Pocchetino Ish-tekniku i Southamptoni-t i ka bërë të qartë drejtuesve se kërkon të mbështetet tek argjentinasi për edicionin e ardhshëm dhe për këtë i ka kërkuar që ta tërheqin nga merkato ish-lojtarin e River Plate. Madje raportohet se trajneri argjentinas është më i gatshëm të heqë dorë nga Soldado se sa nga Lamela.

Mediat italiane bëjnë me dije se gjithsesi klubi i Interit do të vazhdojë të këmbëngul për anësorin 22 vjeçar dhe nuk kërkon të tërhiqet nga lufta për të marrë shërbimet e tij. Nëse bëhet e pa mundur pista që të dërgon tek ish-lojtari i Romës atëherë zi kaltrit mund ti kërkojnë Tottenhamit një tjetër futbollist. Bëhet fjalë për mesfushorin Sandro për të cilin londinezët nuk kërkojnë më pak se 15 milion euro.

Një objektiv tjetër i milanezëve është Yann M’Vila i Rubin Kazanit. Francezi nuk dëshiron më të qëndroj në Rusi dhe për këtë Interi mund të jetë klubi i parë që mund të përfitoj. Vlera e kartoni të tij është 15 milion euro por besohet se zi-kaltrit mund ta bëjnë të tyrin lojtarin 23 vjeçar për një shifër më të ulët. Akoma të nxehta pistat që të dërgojnë tek dy kosovarët Valon Behrami dhe Granit Xhaka.