Finalet NBA, San Antonio thyen Miamin 110-95
I shkon San Antonios finalja e parë e NBA. Spursat përfituan më së miri nga mungesa e detyruar e James në periodën e fundit për të marrë kryesimin në këtë seri e cila në fund do të përcaktoj edhe kampionen e re në kampionatin amerikan të basketbollit.Takimi filloi më mirë për Heat-sat ku falë pikëve të Chris Bosh skuadra nga Florida mori avantazhin e parë, por më pas Spursat u rikthyen në lojë falë realizimeve të Manu Ginobili i cili në fund e mbylli ndeshjen me 16 pikë të shënuara. Dy pjesët e para u mbyllën me avantazhin e San Antonios 54-49.
Ajo ç’ka bëri më shumë përshtypje në “ At and T “ Center nuk ishte loja por i nxehti i pa durueshëm. Për shkak të një problemi në sistemin ftohës të pallatit të sportit temperaturat brenda ndërtesës i kaluan 33°, duke i shkaktuar probleme fansave por mbi të gjitha lojtarëve. LeBron James u mundua ta kalonte pengesën e së nxehtit duke udhëhequr skuadrën e tij në pjesën e tretë, por në momentin kur Heat-sat kishin marrë sërish avantazhin 4 herë fituesi i Lojtarit më të mirë të sezonit u dorëzua. Problemet muskulare e detyruan numrin 6-të Miamit të qëndronte në stol përgjatë gjithë periodës së fundit duke i hapur rrugën San Antonios drejt fitores së parë në këtë seri. Pikët e Tim Duncan dhe Green i dhuruan teksanëve shkëputjen vendimtare. Rezultati përfundimtar Spurs 110 Miami 95.
Protagonistët kryesor për skuadrën e Gregg Popovich ishin Duncan me 21 pikë dhe Tony Parker me 20, ndërsa nuk përcaktues për humbjen e skuadrës nga Florida ishte pa diskutim lodhja muskulare e LeBron James e cila nuk i dha mundësi yllit të Miamit ta ndihmonte ekipin e tij në pjesën e fundit të ndeshjes.Përballja e dytë e finales së madhe të NBA do të zhvillohet të dielën sërish në “ At and T “ Center me shpresën se kësaj radhe sistemi i ftohjes në pallatit e sportit të San Antonios të jetë plotësisht funksional.