Agim Aliu merr drejtimin e degës së PDK-së

Agim Aliu është zgjedhur të hënën në mbrëmje kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Ferizaj. Këshilli drejtues i degës prej 55 anëtarëve, ka zgjedhur kryesinë e degës prej 19 anëtarëve, e cila më pastaj ka zgjedhur kryetarin.Në kryesinë e degës janë zgjedhur: Elmi Recica, Agim Aliu, Ylber Topalli, Nehat Mustafa, Hajdin Abazi, Ilir Orllati, Qazime Vata, Lulëzim Aliu, Gazmend Bytyqi, Hajrie Nebihu, Ardian Ferizi, Shpresa Azemi, Kemajl Bislimi, Arian Ymeri, Alben Eshrefi, Bashkim Hyseni, Gazmend.S.Bytyqi, Hysen Lipovica, edhe Ekrem Metushi.Mësohet se Agim Aliu ka marrë të gjitha votat e kryesisë. Në mbledhjen e parë të kryesisë nuk është bërë zgjedhja e nënkryetarëve të kryesisë dhe sekretarit të degës.Ndërkaq zgjedhjet janë shoqëruar edhe me pakënaqësira, ku Xhabir Morina, zv/ministër i Bujqësisë, kundërshtoi propozimin që edhe ai të jetë kandidat për kryesi.“Unë as nuk dua të jem i zgjedhur dhe as të zgjedh kënd, në një proces që për mua u përcjellë nga një garë e ashpër dhe e egër”, theksoi ai duke i nxjerr në pah pakënaqësitë e një grupi, brenda Degës së PDK-së në Ferizaj.Edhe pse pa e bërë publike kandidaturën për kryetar të Degës, për shkaqe të statutit të partisë, Morina është konsideruar si një nga kandidatët për kryetar të Degës, sëbashku me Agim Aliun, kryetar i komunës, i cili gjatë procesit zgjedhor është përmendur si kandidat i vetëm për kryetar Dege.