Plani urbanistik për Tiranën, kalon vetëm me votat e këshilltarëve të mazhorancës

Mes debateve të shumta dhe kundërshtimeve të opozitës, Këshilli bashkiak i Tiranës ka kaluar vetëm me votat e mazhorancës planin urbanistik për Tiranën, përkatësisht me 28 vota pro, 11 kundër dhe 1 abstenim.Mbledhja e këshillit, e fundit për 2012, u shoqërua me debate mes palëve si për planin urbanistik ashtu edhe për buxhetin afatmesëm të Bashkisë për vitet 2013-2015 të miratuar më herët po me votat e mazhorancës.Gjatë diskutimeve në mbledhje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha mbrojti projektin për Planin Urbanistik, duke e konsideruar atë një plan real që do të jetë Kushtetuta e qytetit.Më tej Basha bëri të ditur se plani urbanistik për Tiranën parashikon 3 m katror hapësirë të gjelbër për person, nuk do të prekë asnjë cm të digës së liqenit artificial, as hapësirën e klubit Dinamo. Ndërkaq ujërat e zeza nuk do të derdhen më në Lanë, pasi në Paskuqan do të ndërtohet impianti i pastrimit të ujërave të zeza, vijoi më tej Basha.Ndërkaq Basha cilësoi si shkatërruese mbikalimet për qytetarët në Tiranë dhe tha se plani ka propozim të ri rreth kësaj pike.Por kjo mbledhje në Këshillin bashkiak përvec debateve ka patur edhe pika bashkimi mes qëndrimet të mazhorancës dhe opozitës. Këto janë vlerësuar si vendime historike të mbledhjeve të Këshillit, ku palët ranë dakort që kategoritë e bizneve luleshitës dhe librashitës të kenë ulje të taksave me 30%.Opozita ka dhënë votën e saj pro, ndërsa ka absetnuar për vendimin e pagesës së antenave të kompanive celulare sepse mungon një studim dhe një matje e saktë mbi rrezikshmërinë ndaj këtyre rrezatimeve.