Platforma për Kosovën, Serwer: Beogradi jeton me fantazi
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka thënë se platforma e Beogradit për Kosovën tregon se autoritetet serbe vazhdojnë “të jetojnë me fantazi”.“Fantazia më e madhe në këtë platformë është se Kosova mbetet krahinë autonome e Serbisë dhe se Serbia do të ketë sovranitet mbi Kosovën. Kjo nuk do të ndodhë sepse nuk është aspak realiste”, ka thënë Serwer.Ai po ashtu i ka hedhur poshtë komentet e Beogradit se me platformën në fjalë, Serbia ka hequr dorë nga ndarja e Kosovës.“Jo, nuk jam dakort me këto vlerësime, sepse mendoj se kjo, pa më të voglin dyshim, është plan për ndarjen e Kosovës. Autoritetet në Beograd bëjnë sikur po u përgjigjen kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për largimin e institucioneve të paligjshme serbe nga Kosova, por në fakt këto institucione vetëm se i legalizojnë. Ato po ashtu propozojnë që me komunitetin serb në Kosovë, në asnjë mënyrë, të mos udhëheqin institucionet e Prishtinës, por ato të Beogradit. Prandaj, platforma bashkon komunitetin dhe në këtë mënyrë krijon ndarjen”, ka thënë Serwer.E ashtuquajtura platformë për Kosovën, që ka propozuar Beogradi ditë më parë, kërkon vetëqeverisje për serbët që jetojnë në Kosovë.Autoritetet në Prishtinë e kanë kundërshtuar fuqishëm atë dhe kanë premtuar se nuk do të lejojnë që të gjejë zbatim.