Akuzat e PS për familjen Berisha, PD: Rama shpif për të maskuar mosvotimin e 3 ligjeve

Vazhdojnë akuzat dhe kundërakuzat ndërmjet Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Berisha në lidhje me pasurinë e familjes së këtij të fundit.Ka qenë zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi, e cila në një konferencë për mediat ka mohuar akuzat e kreut të PS-së, Edi Rama, duke i konsideruar shpifje të tij.“Sot, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, njeriu që në krye të neobllokmenëve në një akt antishqiptar dhe antikombëtar, bllokoi në Parlament votimin e 3 ligjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Europian për Shqipërinë, detyrohet që edhe natën e Krishtlindjeve të vazhdojë përmes çakenjëve të tij fushatën e ulët të shpifjeve, të denja për amoralitetin e tij kundër familjarëve të Kryeministrit.Me këtë fushatë shpifjesh dhe trillimesh z.Rama, beson se do të mund të maskojë përpara shqiptarëve qëndrimin e tij primitiv e hakmarrës në emër të etërve të tij të bllokimit të votimit të 3 ligjeve në Parlament, të kërkuara nga Komisioni Evropian, Këshilli i Ministrave i BE-së, Parlamenti Evropian, por edhe nga miqtë tanë në Ëashington për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë” tha ajo.Zëdhënësja e selisë blu gjithashtu ka akuzuar Ramën se gënjen në të deklarimet lidhur me pasurinë e tij, që sipas saj figurimi i tij si i pastrehë është bërë me qëllimin e vetëm se ka frikë nga hetimi.“Njeriu që nga frika dhe tmerri fsheh pasuritë e që prej 5 muajsh fle tek Dash Peza dhe 7 muaj tek halla apo te tezja, se deklarohet i pastrehë pasi ka ndërtuar qyteza me mbi 54 pallate, akuzon familjarët e Kryeministrit për të ardhurat e tyre, të deklaruara në çdo qindarkë të tyre në institucionet e vendit. Z. Rama në betejën qesharake të maskimit të vendimit të tij antikombëtar dhe antishqiptar të bllokimit të statusit të vendit kandidat për llogari të atyre që nuk duan kurrë integrimin e Shqipërisë në Europë, ka angazhuar me shtrëngim zëdhënës të akuzuar për trafiqe droge, prostitucioni dhe larje parash të pista të cilët i fshihen si minj organeve të drejtësisë që i kanë nën gjykim për shpifje dhe vepra të tjera penale”theksoi Bardhi.Nderkaq Bardhi ka bërë edhe njeherë përgjegjës zotin. Rama për bllokimin e integrimit, përmes mbajtjes peng të tre ligjeve në Kuvend.“Partia Demokratike garanton zotin Rama se ai mund të gënjejë vetëveten, se ka fshehur pasuritë e qytezave të ndërtuara me Fidelët e tij, apo se është i pastrehë, por kurrë nuk do të mund të gënjejë shqiptarët për bllokimin që po i bën statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”deklaroi ajo.Partia Demokratike siguroi se do të hedhë dritë mbi të gjitha shumat marramëndëse, për gjobat 20%-she për të cilat është akuzuar haptas nga ndërtues dhe biznesmenë të Tiranës, si dhe vjedhjet e tjera të anturazhit të tij.