Tiranë, përurohet shtatorja e Ahmet Zogut

Është përuruar sot në kryeqytet shtatorja kushtuar Mbretit  Ahmet Zogu.Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se shtatorja e mbretit Zog do të shërbejë si simbol i bashkimit të shqiptarëve.Kreu i qeverisë ndërsa  ka vlerësuar rolin e pamohueshëm të mbretit të parë të Shqiptarëve ka theksuar se sot Ahmet Zogun e nderon mbare kombi, gjithë shqiptaret kudo që janë."Sot mbarë kombi nderon mbretin shqiptar Ahmet Zogu me këtë shtatore.  Ahmet Zogu në vitet më të hershme derisa mbylli sytë qëndroi i palëkundur në anën e kombit shqiptar, vendit të tij të dashur, miqve të tij të nderuar. Pas shpalljes së pavarësisë ky pasardhës i familjeve më të shquara shqiptare në vitet më të vështira të vendit  qëndroi i palëkundur në mbështetje të Ismail Qemalit, në mbështetje të ndërtimit të shtetit të shqiptarëve. Të gjithë i detyrohen këtij burri të madh shtetin që u mungonte që nga koha e Skënderbeut, që bëri gjithçka për të zhvilluar vokacionin perëndimor të kombit, që bëri gjithçka për të zhvilluar njërin prej vendeve aso kohe më të prapambetur të planetit. Me emrin e tij janë të lidhura konsolidimi i institucioneve të shtetit shqiptar, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur në mbarë botën” tha Berisha.Në fjalën e tij, princi Leka ka falenderuar për nderimin që i bëhet mbretit, duke vendosur shtatoren e tij në Tiranë. Sipas tij, kjo shtatore është tregues i kujdesit të qeverisë shqiptare për figurat e historisë së vendit.Shtatorja e Ahmet Zogut ka një lartësi prej 3 metrash dhe është vendosur në fund të bulevardit “Zogu I”, pranë Stacionit të Trenit.