Nishani: Funksionimi i prokurorisë jo pozitiv
Presidenti Bujar Nishani ka kritikuar punën e bërë nga organi i akuzës ndërsa kërkoi nga prokurorët të jenë të përgjegjshëm në funksionet e tyre.Duke folur në një takim me trupën e prokurorëve, presidenti Nishani theksoi se funksionimi i organit të akuzës nuk është pozitive."Situata në lidhje me pritshmëritë dhe me standartet e kërkuara përballë ambicieve që ka shoqëria shqiptare për funksionimin e organit të akuzës nuk është pozitive. Kjo nuk do të thotë nënvlerësim për punën e bërë, nuk do të thotë dekurajim por mbi të gjitha do të thotë një sfidë të madhe, nga prokurori i përgjithshëm te çdo prokuror i vendit. Duhen rezultate në luftën ndaj krimit dhe roli i Prokurorisë sidomos në luftën antikorrupsion është vendimtar", tha Nishani.Kreu i shtetit kërkoi nga Prokurorët të punojnë me profesionalizëm ndërsa ia ka garantuar atyre mbështjetje të institucionit të presidentit.“Gjykoj se ju keni një privilegj shumë të madh, që është e drejta që u është dhënë për të përfaqësuar interesin e qytetarit në këtë organ, për të ngritur pretendimet dhe akuzën në emër të qytetarit dhe institucioneve publike. Prokurorët duhet të jenë të përgjegjshëm në funksionet e tyre dhe te garantojnë me profesionalizëm. Garantoj prokurorët se te presidenti do gjeni mbështetje të fortë të kauzës e punës suaj, ashtu si do të gjeni kërkues të madh të kurajës suaj profesionale. Se pa profesionalizëm dhe kurajë do të jetë e vështirë përmbushja e punës” tha ai.Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka garantuar hetim pa kompromis korrupsionit për çdo rast të dyshuar si për zyrtarët ashtu edhe për qytetarët. Ndërsa evidentoi se tashmë nuk ka asnjë pengesë në hetimin e zyrtarëve pas heqjes së imunitetit, Llalla theksoi se do të hetohet çdo rast i denoncuar apo i dyshuar për korrupsion.“Nuk ka asnjë pengesë ligjore për hetimin e zyrtarëve dhe kjo është detyrë e jona” tha Llalla.Gjithashtu kryeprokurori Llalla ka theksuar më tej se ka mungesë të besimit të publikut ndaj institucionit që ai drejton ndërsa ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithë prokurorëve për kthimin e këtij besimi.“Ka ende metoda të vjetruara të hetimit dhe drejtimit, ka prokurorë në të njëjtën zonë për vite me radhë duke krijuar gjendje apatie për ndjekjen penale. Do te jem i angazhuar maksimalisht për forcimin e besimit publik ndaj institucionit tonë. Do të përballojmë sfida të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit” tha Llalla.