3 ligjet, Islami: Ka deputetë kundër “rrymës” së Ramës, heshtin nga frika e listave

Në një kohë kur mes dy partive kryesore vazhdon hedhja e topit të përgjegjësisë për humbjen e statusit, sa nga fusha blu tek ajo rozë, ish anëtari i Partisë Socialiste, deputet në Kuvendin e Shqipërisë Kastriot Islami bën përgjegjës vetëm një palë politike, PS, në mënyrë të vecantë lidershipin e saj Edi Rama. Në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj, Islami e vlerësoi të patolerueshëm kushtëzimin nga PS të tre ligjeve për integrimin me cështjen e Fierit, pasi sipas tij KE ishte e qartë në rekomandimin e saj, duke e kondicionuar marrjen e statusit vetëm në tre ligje. Duke u thelluar në analizën dhe konstatimet me kolegët e tij, si “ish” i kësaj partie, Islami shprehet se një pjesë e mirë e deputetëve socialiste kanë qenë dhe janë kundër kësaj rryme, por ajo që i bën ata të heshtin sipas tij është frika e hartimit të listave, mbështetur edhe në përvojën e mëparshme të kolegeve të tyre, përfshirë këtu dhe vetë zotin.Islami.“Që në fillim kur dukeshin indikacionet e parë që statusi mund të mos merrej, nga PS u nxit një lloj gare në aspekt tjetër, kush është përgjegjësi nëse statusi nuk do të merrej.  Ndërkombëtarët në mënyrë shumë të qartë e kanalizuan gjithë procesin në tre ligje, të cilët do të testonin nivelin e bashkëpunimit mazhorancë-opozitë dhe e bënë qëllimisht. PS, në mënyrë të vecantë zoti.Rama e lidhi me cështjen e Fierit. Kjo u bë gabimisht, pasi KE në rekomanimin e dhënë mund ta përfshinte edhe Fierin si kusht nëse do ta vlerësonte të arsyeshme. PS sa do të mundohet e ka të pamundur të kalojnë topin në fushën tjetër, Fieri është një cështje juridike, lënia në harresë pas dështimit të  statusit është një gafë tjetër e PS, pasi  datën kur do të jepej përgjigjia tërhoqi dhe padinë nga gjyqi. Në cdo vend që është në një demokraci në tranzicion nuk është vështirë të ndërtosh një mekanizëm autoritar, sidomos përmes krijimit të një klientele. Situata e PS nuk është më sekret, Rama për ta dominuar ka krijuar në klientelë që kontrollon të gjitha forumet. Në PS mund të ketë element që sbien dakord me këtë mënyrë sjellje, por janë në fazën ku dalë ngadalë do hartohen listat e ardhshme dhe kjo i bën ata të jenë më të kujdesshëm, nisur dhe nga përvojat e mëparshme që ka pasur në PS. Rama është jo në rrugën e duhur. PS dhe PD, edhe LSI janë asete kombëtare, kur dëmtojnë vendin secili nga ne është i detyruar të flasë, aq më tepër unë që kam qenë pjesë e PS jam i detyruar ti tregoj publikut se cila ka qenë PS dhe vizioni i saj europian” tha Islami.Islami më tej shton se lidershipi i selisë rozë ka qenë në një dilemë të madhe mes normalitetit dhe anormalitetit, duke e vlerësuar bllokimin e marrjes së statusit si një sukses elektoral në favor të partisë së tij, por shprehet i sigurtë se shqiptarët me votën e tyre do ta penalizojnë edhe këtë radhë radikalizmin.“Besoj  është pranuar nga deputetë të PS që ishte gabim moskalimi i tre ligjeve dhe lidhja e tyre me Fierin. Rama ka qenë në një dilemë të madhe mes normalitetit dhe anormalitetit.Beson se i jep më shumë sukses elektoral. Në disa takime që kam pasur me faktorin ndërkombëtar kam  këmbëngulur që të penalizojnë radikalizmin. Mendoj që një sjellje e tillë partisë nuk i jep asnjë lloj shansi me elektoratin thjesht mund të fuqizojë lidershipin brenda partisë që drejton. Shqiptarët do ta penalizojnë edhe këtë radhë radikalizmin, pasi është kundër interesit rë tyre, ato që e preferojnë janë minorancë” theksoi ai.I pyetur nga zoti. Sadikaj lidhur me një tjetër cështje të nxehtë të aktualitetit politik, rezolutën came, Islami ka preferuar të mos japë një përgjigje të prerë nëse do ta votojë apo jo në Parlament. Nga ana tjetër ai deklaroi se cështja came duhet  të orientohet drejt zgjidhjes, por jo të kthehet në kundërveprim, pasi në një rast të tillë sipas Islamit do të kishim një bllokim të zgjidhjes."E para nëse një rezolutë bëhet për të testuar kush është tradhëtar apo patriot kjo është shumë e rëndë. Ajo është një proces, nuk duhet pretenduar mbështetja e të gjitha pikave dhe nuk duhet që nëse dikush heziton ta votojë të etiketohen. Cështja ka dy palë, kjo është trajtuar që në '91, ka një traktakt miqësie mes dy shteteve. Në 2004 u tentua një rezolutë por nuk u miratua në parlament. Kjo duhet kthyer në një proces që realizon edhe shqetësimin që ka ky komunitet shqiptar dhe synimi duhet të jetë drejt zgjidhjes dhe jo për të krijuar një marrëdhënie të tensionuar që bllokon zgjidhjen. Do vinë komisionet parlamentare, do ketë një debat, po kështu do ketë dhe një debat mediatik. Unë do të sugjeroja që cështja të orientohet drejt zgjidhjes, por jo të kthehet në kundërveprim.Është një cështje komplekse, më vjen mirë që PDIU po merret seriozisht edhe në aspektin juridik përvecse atë politik dhe mediatik" u shpreh deputeti Islami.Kur jemi në një vit elektoral dhe fushata sa vjen dhe ndizet dhe pse ende jo zyrtarisht, Islami ka komentuar edhe mbi LSI dhe mundësinë e koalicioneve të ardhshme. E parë në lupën e tij, LSI dhe vetë lidershipi i saj Ilir Meta kanë kapur një rol moderator në terrenin politik, duke luajtur një rol stategjik në mjaft momente kyce për vendin, në funksion të zbutjes së tensioneve politike të krijuara herë pas here nga PD-PS. Duke e vlersuar si të drejtë ekskluzive të LSI për të vendosur mbi koalicionet në bashkëveprim dhe me dy faktorët PD-PS, Islami i ka lejuar vetes që duke vënë në peshore avantazhet dhe disaavantazhet që kjo parti do të kishte me secilën prej tyre, peshorja anon tek rinovimi i një mandati të dytë LSI-PD. Madje ai e përforcon më tej idenë e tij, se një koalicion Rama-Meta do të kthehej një “luftë karrigesh”, ndërsa me PD, LSI e ka të qartë pozicionin e saj.“LSI, e në mënyrë të vecantë Meta kanë kapur një rol moderator, një urë bashkëpunimi për cështje me rëndësi që ka pasur politika gjatë kësaj kohe. Është një qëndrim  i drejtë, Meta është një lider i forte, shpesh mban qëndrime edhe ndaj fenomeneve negative. Besoj se LSI është në një pozicion të drejtë dhe që i takon. Historia e LSI me PS, të Metës me Ramën ka një histori deri tek rastet e fundit të 21 janarit, darkës së ngjalave. Kjo ka bërë që në dy partitë të ketë segmente elektorale që ta refuzojnë këtë koalicion, nëse do bëhej duhej kuruar problemi me elektoratin dhe së dyti problemi mes dy lidervë të cilët në një moment se di si do zgjedhin cështjen e bashkëveprimit dhe vendosjen në vijë të drejtë të ambicieve të tyre. Rama po bën politikë vertikale dhe një parti e vogël e ka të vështirë të bashkëveprojë me një parti të tillë. Secili obsion ka avantazhet dhe disavantazhet e saj, por shikoj që raporti është në favor të një koalicioni të LSI me PD. Secili lider ka parasysh situatën e partisë së tij, risqet që merr, është një vendimarrje që do merret nga LSI në bashkëveprim me dy faktorët PS, PD. Por është për tu përshëndetur koalicioni i 2009 që theu cdo tabu. Veprimi i Metës ishte një kapërcim shumë i madh që tenton të zbusë klimën politike nga luftarake në një klimë konkuruese. Ka personazhe nga PS që e etiketojnë si tradhti, por s’është e tillë” deklaroi në RTV Ora News Kastriot Islami.