Rama me vendorët e PS: Buxheti i njësive vendore po rrënohet

Në një takim me të zgjedhurit vendorë socialistë të zhvilluar në qytetin e Fierit, Kryetari i PS Edi Rama është shprehur se tashmë është shumë e qartë se me këtë qeverisje ka vetëm rrënim në të gjitha aspektet.“Bazuar mbi këtë model qeverisës, siç po rrënohet ekonomia, siç po rrënohen familjet në nevojë dhe po shtohet numri i familjeve të varfra, siç po rrënohet sipërmarrja e madhe apo e vogël siç po rrënohen shërbimet publike, shëndetësi, arsim, ashtu po rrënohet edhe buxheti i njësive vendore”, është shprehur lideri i opozitës. Kryetarët e Bashkive kryesore Durrës, Elbasan, Korçë e Vlorë në një zë janë shprehur për paralizim të punës së tyre nga qeverisja qendrore.Kritikat më të mëdha sigurisht që kanë qenë për buxhetin e sapomiratuar, i cili që në hartimin e tij duket se ka pasur si synim bllokimin e punës së bashkive që drejtohen nga përfaqësuesit e PS-së.Këta të fundit kanë shprehur shqetësimin e tyre duke lajmëruar edhe fenomene të rrezikshme të cilat bien drejtpërdrejtë në kurriz të shërbimit ndaj qytetarëve.“Ky buxhet është rrënues ndaj bashkive dhe komunave. Është një buxheti i cili i ka hapur një rrugë me transfertë e pakushtëzuar, një fenomeni shumë të rrezikshëm. Bashkia e Durrësit akoma nuk e ka marrë ndërmarrjen e ujësjellës kanalizimeve dhe penalizohet nga kjo qeveri vetëm me arsyetimin sepse i ka borxh kompanisë CEZ”, është shprehur kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ndërsa për kryebashkiakun e Elbasanit, problemi i ujësjellësit është në drejtim të kundërt, ndërsa paralizimi i aktivitetit të bashkisë, i njëjtë me të tjerët. “Unë nuk e kam ujësjellësin në administrim. E kërkoj dhe nuk ma japin. Pra ka probleme mjaft të çuditshme dhe në zbatimin e ligjit. Kështu siç jemi dhe në këto kushte ne jemi të paralizuar”, ka thënë Qazim Sejdini.Kryetari i Bashkisë së Korçës, e ka konsideruar buxhetin si një buxhet arrogant, megjithëse krijohet nga taksat që paguajnë qytetarët nuk shkon në interesin e tyre. “Ky mbi të gjitha është një buxhet arrogant, buxheti i shtetit nuk është buxheti i qeverisë. Buxheti i shtetit është buxheti i shqiptarëve, krijohet me taksat që shqiptarët tanë paguajnë. Qytetarët tanë paguajnë shumëfish më tepër taksa kombëtare krahasuar me taksa lokale”, ka theksuar Niko Peleshi, ndërsa më ashpër akoma ka qenë kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, me deklarimin e tij: “Unë jam sot këtu në këtë takim për t’i bërë me dije të ashtuquajturit kryeministrit, ende në detyrë dhe për pak kohë, që me këto buxhete ai mendon se dëmton ne, realisht ka dëmtuar qytetarët. I them kryeministrit që mua më ka në ballë të punës politike që në 23 qershor ky kryeministër të shporret megjithë këtë buxhet.”Për Kryetarin e PS, Edi Rama është e papranueshme që bashkitë e mëdha të vendit të përpëliten në këtë situatë, ku i ka katandisur qeveria.“Ne nuk mundet në asnjë mënyrë që të pranojmë dhe të imagjinojmë që qytete si Durrësi, si Vlora , si Elbasani apo Korça, si Fieri apo Saranda dhe me radhë pa bërë tani klasifikim, të përpëliten në këtë situatë”. Por sipas kryesocialistit më e rëndësishme është ajo çka do të bëjë PS në qeverisje, pasi qeveria në ikje nuk do dhe nuk mundet ta ndryshojë këtë situatë që është pjesë e rrënimit të përgjithshëm ekonomik e social të vendit. “Ne e kemi shumë të qartë që vetëm rrënim të ka në të gjitha aspektet në këtë metodë qeverisëse, bazuar mbi këtë model qeverisës. Ashtu siç po rrënohet ekonomia, ashtu siç po rrënohen familjet në nevojë dhe po shtohet numri i familjeve të varfra, ashtu siç po rrënohet sipërmarrja e madhe apo e vogël siç po rrënohen shërbimet publike, shëndetësi, arsim, ashtu po rrënohet edhe buxheti i njësive vendore. Ne duhet të miratojmë strategjinë e re të decentralizimit, si hapin më të parë. Në duhet të miratojmë një ligj të ri integral për financat vendore. Ne duhet të miratojmë një plan strategjik për decentralizimin fiskal duke filluar nga aplikimi i taksave të ndara si në çdo vend normal, modern, demokratik. Ne duhet të miratojmë rishikimin e taksave vendore për të lehtësuar maksimalisht biznesin e vogël dhe për të nxitur krijimin e vendeve të reja të punës”, ka theksuar kreu i PS në gjatë shpjegimit të asaj çfarë parashikon programi për një Rilindje Shqiptare.Rama është angazhuar për një model të ri ekonomik që do të sjellë dhe një zhvillim të qëndrueshëm të vendit.“Sot një vit ne do jemi duke përgatitur e projektuar buxhetin tonë të parë. Sigurisht ne do ta rimodelojmë rrugën e daljes nga kriza dhe do të dalim shumë më shpejt nga ky rreth vicioz ku s’kemi asnjë shans të dalim me këtë qeveri, me këtë rrugë”, është shprehur kryesocialisti.