Qëndrimi i Berishës për taksën e biznesit të vogël, PS: Një tjetër provë pse duhet rotacion politik

Fill pas mbarimit të konferencës me gazetarët të kryeministrit Sali Berisha, ka ardhur reagimi i Partisë Socialiste lidhur me taksën e biznesit të vogël. Në një deklaratë për mediat PS shpreh keqardhjen lidhur me deklaratën e Kryeministrit për mosheqjen e taksës për biznesin e vogël, duke e vlerësuar një tjetër provë se pse duhet me patjetër rotacioni politik në Shqipëri.“Keqardhje për përçartjen e sapopërfunduar të kryeministrit. Një tjetër provë pse duhet me patjetër rotacioni politik në Shqipëri. Një tjetër shembull i degradimit të qeverisë në një klub thashethemesh dhe banalitetesh pa vizion, pa projekt, pa arritje. Kjo qeveria po e lë Shqipërinë më keq se qe gjeti. Sot Partia Socialistë përsërit: Po, ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël, madje në 100 ditët e para të qeverisjes. Po, ne do ta ndryshojmë sistemin e taksimit jo më taksë të sheshtë, por taksim të ndershëm. Kush fiton më pak do të paguajë më pak, kush fiton më shumë do të paguajë më shumë” thuhet në deklaraëtn e PS.PS ka komentuar edhe qëndrimin e Berishës lidhur me idenë e bashkimit kombëtar dhe dhënien e shtetësisë, ku thekson se kjo parti do ta çojë përpara këtë ide, por jo me rrugët e vjetra të nacionalizmit folklorik.“Po, zgjedhjet janë kusht për statusin kandidat dhe çuarjen përpara të procesit të integrimit. Dhe po, ne do ta çojmë përpara idenë e bashkimit kombëtar por jo me rrugët e vjetra të nacionalizmit folklorit, sepse ka një dallim të madh mes nesh dhe atyre që sot keqqeverisin. Ne jetojmë në të sotmen për të ardhmen. Ata jetojnë në të shkuarën për të shkuarën”përfundon deklarata e PS.