Tabaku: Rritje e masës së gjobës për ndotësit e ambientit

Gjatë prezantimit të raportit përfundimtar të fushatës "Denonco, Mos hesht!" në mbrojtje të ndotjes së mjedisit, Zv/Kryetarja e Bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku ka kerkuar të rishikohet legjislacioni, me qëllim rritjen e nivelit të gjobave, për hedhjen e mbetjeve të ngurta, në ambiente publike.“Unë besoj se bashkarisht, ne mund të përcaktojmë një klasifikim, sa i përket nivelit të ndotjes së mjedisit dhe të propozohen  nivele të ndryshme gjobash, për shembull, vend-depozitimet e pakontrolluara kanë një ndikim më të madh në mjedis, se sa ndotja e mjedisit që mund të shkaktohet nga qytetarët. Për këtë arsye, kjo është një fushë të cilën mund ta eksplorojmë së bashku dhe ne jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizën tonë, duke pasur parasysh raste, që ne kemi ndeshur gjatë aktivitetit tonë të përditshëm" tha Tabaku. Sipas Raportit të prezantuar në takimin e organizuar me Shoqatën e Korpusit të Vullnetarëve, vetëm gjate tre muajve të fundit, janë vendosur 23 gjoba kundrejt subjekteve që hedhin mbetje në vende publike dhe rreth 120 gjoba, të cilat arrijnë deri në maksimumin prej 20 mijë lekësh të reja, për biznese dhe qytetarë që ndotin ambientet e përbashkëta.Në këtë nismë është e angazhuar edhe Policia bashkiake e cila bën të mundur monitoroimin  e qytetit gjatë 24 orëve nga task-forca e ngritur për këtë qëllim.