ERE kërkon nga përmbarimi bllokimin e llogarive të CEZ-it

Enti Rregullator i Energjisë ka kërkuar nga përmbarimi bllokimin e llogarive bankare të CEZ shpërndarje. Ky vendim ka ardhur pasi kompania çeke nuk ka paguar gjobën prej 430 milion lekësh të reja që ERE i ka vendosur kompanisë pas performancës së dobët. Menjëherë pas deklaratës së ERE ka ardhur dhe reagimi i CEZ ku pranohet se është bërë bllokimi i llogarive të shoqërisë në të gjitha bankat e nivelit të dytë.Sipas CEZ kjo ka shkaktuar vonesa të zëvendësimit të pajisjeve të djegura dhe aseteve të tjera. Kjo kompani pranon gjendjen e vështirë financiare në të cilën ndodhet aktualisht, ndërkohë 17 dhjetori ishte përcaktuar edhe fati i fundit prej 30 ditësh që ERE i kishte dhënë kompanisë CEZ për përmirësimin e situatës energjitike në vend, përpara se të merrte një vendim për heqjen e licencës.E megjithatë sipas këtij të fundit do të jetë data 20 kur do të diskutohet një vendim i tillë, pasi kërkesa është dërguar disa ditë me vonesë në kompaninë CEZ.Duke qenë në prag të diskutimit për heqjen e licencës dhe natyrisht pas akuzave të fundit kundrejt CEZ për ndërprerje të energjisë elektrike kjo kompani ka dorëzuar një tjetër kërkesë pranë ERE, me anë të së cilës pretendon të mbajë licencën e shpërndarjes së energjisë elektrike. Paraprakisht mësohet se në kërkesë janë përfshirë të gjitha problemet dhe ankesat në lidhje me situatën energjitke që është krijuar në vend.Vetë Kompania CEZ Shpërndarje nga ana tjetër ka reaguar me anë të një deklarate ku shprehet se në asnjë rast nuk ka ndërrmarrë asnjë shkëputje të energjisë elektrike në mënyrë të qëllimshme. Në deklaratë thuhet se shkëputjet e energjisë elektrike kanë ardhur si pasojë e motit të keq, stuhive te stinës si dhe në disa raste si pasojë e ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet nga persona të paautorizuar. CEZ Shpërndarje deklaron se vetëm gjatë fundjavës ka mobilizuar më tepër se 800 punonjës në terren, për të zgjidhur në mënyrë sa më të shpejtë dhe efikase cdo defekt.CEZ Shpërndarje po bën të gjitha përpjekjet për të furnizuar të gjithë konsumatorët në një situatë ku konsumi ditor i energjisë ka mbërritur në 26.5 milion kwh në ditë, të dhëna këto që rezultojnë 25% më të larta se sa muaji paraardhës dhe 20% më tepër se e njëjta periudhë vitin e kaluar. Ndërkohë një ditë më parë Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës i kërkoi kompanisë CEZ Shpërndarje që të mos provokojë tension publik me ndërprerjet pa shkak të energjisë elektrike.