Statusi, PDIU: Suksesi i takon popullit, më shumë angazhim
PDIU përshëndet marrjen e statusit të kandidatit dhe shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen që vjen nga Brukseli për të përmbushur aspiratën e popullit shqiptar për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Përmes një deklarate për mediat, PDIU uron mbarë popullin shqiptar i cili nuk e ka rreshtur mbështetjen e vetë për tu bërë pjesë e Evropës së Bashkuar.” Suksesi dhe lëvdatat i takojnë popullit shqiptar ndërsa elitës politike i takon të mbartë përgjegjësinë për zvarritjen dhe vonesën e pajustifikueshme në procesin e integrimit”thekson PDIU.“Kjo arritje është një dëshmi e re se nëse palët politike lënë mënjanë interesat meskinë dhe frymën e konfliktualitetit por angazhohen së bashku për të bërë reformat që më së shumti i nevojiten Shqipërisë, udhëtimi drejt Bashkimit Evropian ka për tu bërë më i shpejtë dhe më i lehtë. PDIU rikonfirmon faktin që integrimi evropian i vendit tonë është një ndër përparësitë e kësaj partie, gjë që e ka demonstruar që prej krijimit të saj jo vetëm në retorikën politike sikurse kanë bërë partitë e tjera, por duke luajtur gjithnjë një rol konstruktiv, pajtues dhe bashkëpunues në veprimtarinë e saj politike”thuhet më tej në deklaratën e PDIU-së.Ndërkaq PDIU vlerëson se vendimi i sapomarrë nga Komisioni Evropian, më shumë se një privilegj, është një përgjegjësi e madhe e të gjithë aktorëve politik të Shqipërisë për të mbështetur ato veprime politike dhe reforma madhore që kanë për qëllim përmbushjen e kritereve të përcaktuar për anëtarësimin e vendit tonë në BE.