Shqipëria merr statusin, Sequi i dorëzon progres-raportin Berishës

Kryeministri Berisha ishte zyrtari i parë shqiptar që mori në duar progres-raportin e KE, ku rekomadohet dhënia e statusit të kandidatit për Shqipërinë. Ndërsa nënvizoi se ky moment do të mbetet në memorien e kombit, Kryeministri vlerësoi si të drejt vendimin e Brukselit për të celur negociatat pas zgjedhjeve të 2013. Berisha tha se qeveria e tij do të angazhohet për të realizuar zgjedhje demokratike dhe me standarde.“Raporti me shumë të drejtë parashtron hapjen e negociatave pas procesit zgjedhor dhe vlerësimit të këtij procesi. E konsideroj të logjikshme këtë kërkesë. Do bëjmë gjithçka për proces zgjedhor të lirë e të ndershëm dhe jemi të vendosur ta demonstrojmë këtë para çdo qytetari shqiptar dhe para çdo vëzhguesi dhe miku të Shqipërisë. Me ato zgjedhje të dëshmojmë se meritojmë hapjen e negociatave, kërkesë kjo ndër më legjitimet, më logjiket që mund t`i shtrohet një vendi.”- deklaroi Berisha.Kryeministri tha se mazhoranca e tij ka bërë cdo lëshim ndaj opozitës dhe do të shtrijë dorën e bashkëpunimit deri në atë pikë sa të mos shkelet Kushtetuta. Në këtë pikë, ai kërkoi votimin brenda javës së ardhshme të 3 ligjeve të kërkuara nga KE, ligji për shërbimin civil, reforma parlamentare dhe ligji për gjykatën e lartë.“Komisioni kërkon që ndërkohë të votohen 3 ligje, të cilat janë ne parlament. Unë angazhohem të bëj çdo gjë që është e mundur brenda parimeve të një sistemi demokratik e ato ligje të votohen që javën që vjen. Kur vjen puna te qeverisja, këto parime nuk kanë ngjyra partiake, por janë parime universale që rregullojnë qeverisjen. Mbetem i vendosur të punoj me intensitet të madh.”- u shpreh kryeministri Berisha.Ambasadori i BE tha se përmbushja e reformave deri në dhjetor kur Këshilli i BE do të vendosë dhënien e statusit për Shqipërinë është i mundur, por për ketë duhet që të gjitha palët të vendosin energjitë e tyre në integrimin europian, që përbën një interes kombëtar.“Besoj që këto reforma janë afër përfundimit, rëndësi ka miratimi i këtyre ligjeve, reformave. Këtu ka rëndësi edhe zbatimi, i reformave e ligjeve. Besoj që mund të arrini reformat me dëshirë dhe vullnet për dialog, me frymë kompromisi, me respekt të ndërsjelltë dhe të kuptuarut se cili është interesi i vendit dhe të ardhmen që për mua është integrimi nuropian. Deri në dhjetor kushti për reformat, pasi në dhjetor këshilli i ministrave të BE do marrë vendimin e vetë duke u bazuar në raportin e Komisionit Europian, ne duhet të japim mesazhin se reforma duhet të përfundojnë”, shtoi Sequi.Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryediplomatin e BE, Kryeministri ripërsëriti edhe një herë qendrimin e tij se ish të burgosurit politikë po zhvillojnë një grevë politike.