Paloka: Rama antishqiptar, bllokoi statusin për shqiptarët
Partia Demokratike akuzoi sërish kreun e PS-së Edi Rama se bllokoi marrjen e statusit kandidat për Shqipërinë.Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së Edi Paloka e ka cilësuar kryesocialistin Rama si një njeri anti-shqiptar i cili ka bllokuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.Sipas tij, Rama nuk doli përtej interesave vetjake, edhe pse iu kërkua nga ndërkombëtarët që të bashkëpunonte në interesin e qytetarëve shqiptarë.“Rama është një pinjoll i bllokmenëve që iu tregoi shqiptarëve se është kundër të ardhmes dhe interesave të tyre. Rama nuk ka bërë gjë tjerë veç bllokimit, pasi bllokoi anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave dhe për herë të tretë bllokimin e statusit kandidat.Dëmi që u solli shqiptarëve nuk janë vetëm ato miliona euro, që në një kohë të vështirë si kjo në fakt do t’u bënin mirë shqiptarëve dhe sidomos atyre për të cilët Rama bën sikur përgjërohet: shqiptarëve të varfër. Por, dëmi më i madh është ai moral. Dëmi i vërtetë është ai përballë miqve tanë europianë që nuk mund ta konceptojnë sesi një kryetar partie shqiptare mund të ngrihet kundër interesave të popullit të tij” tha Paloka.Gjithashtu Paloka thekson se ky është bllokimi i fundit që Rama iu bën shqiptarëve, pasi zgjedhjet e 2013 do t’i japin vendin që meriton kryetarit socialist.