PD akuza Ramës: E pafalshme që një aventurier politik të mbajë peng integrimin

Partia Demokratike i ka bërë edhe njëherë të qartë Partisë Socialiste se humbja e statusit nuk erdhi për shkaqe të pretenduara prej tyre, por vetëm nga mosvotimi i tre ligjeve në Kuvend.Deputeti i PD, Gerti Bogdani, në një deklaratë për mediat, duke mos kursyer kritikat ndaj lidershipit të selisë rozë Edi Rama, shtoi se është e pafalshme që një aventurier politik të mbajë peng një vend të tërë në rrugën drejt integrimit. “Për herë të tretë radhazi, edhe në këtë 100 vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, interesat e ngushta personale të aventurierit politik në kryetë Partisë Socialiste, bllokojnë marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë dhe vonojnë shqiptarët në procesin e integrimit europian të tyre. Mos votimi i tre ligjeve në parlament nga ana e opozitës, e bllokoi edhe një herë Shqipërinë në avancimin e saj drejt Bashkimit Europian. Por është e pafalshme, për cilindo politikan, që mbi interesat kombëtare të vendose interesat politike dhe personale. Është e pafalshme, e përsëris, që një aventurier politik, të mbajë peng dhe të bllokojë një vend të tërë” deklaroi Bogdani.Bogdani theksoi dhe njëherë se vetë Komisioneri për zgjerim i BE, Stefan Fule, ka deklaruar qartë se kusht për marrjen e statusit mbetet votimi i tre ligjeve me shumicë të cilësuar.“Është mëse e qartë, qoftë nga deklarata e Komisionerit Fule, qoftë nga konkluzionet e Këshillit të Europës, apo votimi në Parlamentin Europian, se arsyeja e vetme e mos marrjes së statusit të vendit kandidat është mos-votimi i tre ligjeve ne parlament nga opozita. Pra, është bllokimi që z. Rama i bën përsëri Shqipërisë dhe shqiptarëve”tha ai.Deputeti i PD, garantoi shqiptarët se ashtu sic rrëzuan murin e Berlinit, ashtu do të mund të rrëzojmë edhe murin e bllokimit me 23 qershor.