Meta:Shqiptarët do vlerësojnë me votë kontribuuesit dhe bllokuesit e integrimit

Kryetari i LSI-së Ilir Meta ka deklaruar se më 23 qershor  shqiptarët do të vlerësojnë me votë kontribuuesit dhe bllokuesit e integrimit.Në një takim me struktuarat e LSI-së në Përmet dhe Tepelenë, Meta u shpreh optimist se LSI-ja pas 23 qershorit do të ketë një përfaqësi shumë më të fuqishëm  në Parlamentin e ardhshëm duke dhënë një rol shumë më të fuqishëm në qeverisjen e ardhshme."Vota e 23 qershorit për LSI-në është për një Shqipëri që ecën më shpejt. LSI është partia e njerëzve të lirë, që duan të ecin më shpejt në rrugën e integrimit. LSI do të vazhdojë të jetë një forcë e tillë e hapur. LSI është një forcë politike që u ka dhënë dhe u jep mundësi të gjithëve të kontribuojnë, por kurrsesi të shpërdorojnë besimin, të sillen si kapadai, të jenë arrogantë me anëtarët e LSI-së, me qytetarët sepse këto nuk janë në natyrën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. LSI është parti e njerëzve me vullnet, me pasion, me kërkesa ndaj vetes për të kontribuar për të ardhmen. Ne mbështetemi në mënyrë të veçantë tek rinia sepse duam që të ecim më shpejt. Ky nuk është thjesht slogani ynë, kjo është sfida jonë. Është sfida e të gjithë qytetarëve shqiptarë”,tha Meta.Meta apeloi nga Përmeti që klasa politike të ngrihet në nivelin e qytetarëve, të mos bllokojë integrimin evropian të vendit për interesa të afërta elektorale.“Duhet me kohë ta kishim fituar statusin e vendit kandidat që prej vitesh. Është mungesë e vullnetit politik që ka sjellë këtë ngërç të pamerituar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Shqiptarët treguan si askush tjetër që janë në nivelin e marrjes së përgjegjësive dhe të respektimit të marrëveshjeve që bëhen me Europën. E treguan më së miri me liberalizimin e vizave. Nëse sot ka shqetësime në Bashkimin Europian për qytetarët e vendeve të caktuara të Ballkanit që nuk i respektojnë këto detyrime, këto nuk janë për qytetarët shqiptarë, këto janë për qytetarët e vendeve të tjera. Është momenti që klasa politike të ngrihet në nivelin e qytetarëve tanë, të mos bllokojë integrimin evropian të vendit për interesa të afërta elektorale. Shqiptarët do të dinë të vlerësojnë kontributin që jep gjithsecili për zhvillimin dhe progresin e vendit, do të dinë, edhe të ndëshkojnë pengesat që gjithsecili vendos në mënyrë të padrejtë ndaj vendit dhe gjithë qytetarëve tanë”, tha Kryetari i i LSI-së.