INUK "minon" hotelin në Dhërmi, pronari padi: Zotëroj dokumenta të sakta VIDEO
Aksion i INUK është kthyer sërish në zonën bregdetare të Vlorës, ku në bashkëpunim edhe me forcat e xhenios një ndërtesë katërkatëshe pritet të shembet me shpërthim të komanduar. Ndërtesa për vite me radhë ka shërbyer si hotel dhe është ndërtuar në Dhërmi, por nga verifikimet ka rezultuar si ndërtim i paligjshëm.
Forcat e xhenios po vijojnë punën për krijimin e kushteve ku do të vendoset lënda plasëse, e cila do të realizojë edhe shembjen e objektit. Inspektorët kanë hasur në rezistencën e godinës, të cilët nuk kanë pranuar të dalin jashtë saj.
Ndërtesa në fjalë i përket kryeplakut të fshatit të Dhërmiut, Gjikë Stramarku, i cili akuzohet nga agjensia e kthimit dhe kompensimt te pronave se në bashkëpunim me ish- regjistruesin e hipotekës së Vlorës, Eduart Dervishi ka tjetërsuar pronën publike, duke përfituar 1600 metra katrorë plazh në vijën bregdetare të kësaj zone.
Pavarësisht këtij fakti, Stramarku ka depozituar në Prokurorinë e Vlorës kallëzim penal ndaj INUK, ndërsa është shprehur se ndërtimi është me leje.
“Absolutisht i rregullt. Urdhëro t’ju tregoj dhe vërtetimin e hipotekës, urdhërio dhe objekti në fjalë, vula e Bashkisë, t’ju tregoj dhe lejen e Bashkisë. Në mënyrë brutale kanë rrethuar godinën me shirit, shirit të kuq sigurisht, ndërtim rruge dhe na spostuan të gjithë. Iu drejtova sot Prokurorisë për të bërë një kallëzim, po kthehemi në vitin ’46 në komunizëm, unë forcë kam vetëm ligjin”tha ai.
Objekti i cilësuar si i paligjshëm dhe pritet të shembet gjatë fundjavës, është i rrethuar nga forca të shumta policie dhe pritet që familjarët të nxirren me mirëkuptim nga ndërtesa, ose në të kundërt do jenë uniformat e policisë, ata që do të ndërhyjnë.