Kuvendi voton projektligjet për transportin e burgjet, “rrëzohet” Mediu për tokat

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në seancë plenare nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe miratoi disa projektligje të rëndësishme në fushën e transportit, policisë së burgjeve dhe disa amendime për ligjin e tokës.Pas miratimit të procesverbalit të seancës së kaluar, Kryetari i Kuvendit njoftoi deputetët se para fillimit të seancës u mblodh Konferenca e Kryetarëve për programin e punës së Kuvendit për periudhën 14 prill-23 maj 2014 dhe për kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit 14 prill- 2 maj 2014, ku palët nuk gjetën konsensus për disa pika të programit.Ndërkohë që, deputetët e opozitës kërkuan që në programin dhe kalendarin e punës së Kuvendit të përfshihen disa prej amendamenteve të tyre.Ndërsa, Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi i bëri thirrje opozitës që të japë kontributin e saj duke u bërë pjesë e reformës administrativo-territoriale, reformës në drejtësi, në shëndetësi dhe çdo sektor tjetër që gjendet në nevojë për tu reformuar.Seanca vijoi punimet me diskutimet e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës, “Për Policinë e Burgjeve”. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, u shpreh se me ndryshimet e propozuara në ligjin për Policinë e Burgjeve hedhim hapin e parë drejt reformimit të tij.Në lidhje me projektligjin “Për transportet rrugore” të ndryshuar”, deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi u shpreh se ky projektligj lehtëson ndjeshëm procedurën e rritjes së tarifës së udhëtimit.“Ky shërbim nuk duhet të organizohet me dy standarde, sepse kjo pabarazi shërbimesh sjell diskriminim për qytetarët, por edhe mbi shoqëritë që ushtrojnë këtë aktivitet, sepse për të njëjtin shërbim, kompanitë që ushtrojnë aktivitet në kryeqytet, kanë kryer investime të larta dhe operojnë me kushte të njëjta si ato kompani të cilat nuk kanë kryer investime. Përcaktimi i masës së subvencionit për shtresat që përfitojnë udhëtim falas është një tjetër element pozitiv i këtij projektligji dhe që masa e subvencionit për kategoritë që udhëtojnë falas sipas ligjit, tu jepet drejtpërdrejtë përfituesve”, deklaroi znj. Kryemadhi.Sakaq, diskutime dhe debate u zhvilluan edhe për projektligjin “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” të ndryshuar”, ku deputeti Fatmir Mediu u shpreh se “Avokatja e Shtetit në Strasburg thotë se nuk e shtyjnë dot afatin as me tre muaj , ndërsa Kryeministri tha se e ka shtyrë afatin me një vit. Pavarësisht se si do të votoni sot, kjo çështje është e zgjidhur në Gjykatën e Strasburgut”.Më pas, Kuvendi hodhi në votim gjashtë kandidaturat për komisioner të Avokatit të Popullit përkatësisht: Andi Bala me 62 vota kundër 6 pro 6 abstenim, Alket Jaupi me 4 vota pro 62 kundër 8 abstenim, Ermir Kapedani me 68 vota pro 3 kundër 3 abstenim, znj. Aranita Brahaj me 3 pro 62 kundër 8 abstenim, Arben Shkëmbi me 69 pro 2 kundër 3 abstenim dhe Etilda Saliu me 72 pro 1 kundër 1 abstenim, ku fitues u shpallënEtilda Saliu, Arben Shkëmbi dhe Ermir Kapedani.Kuvendi miratoi dy projektligjet e sipërpërmendur, ndërsa projektligji i propozuar nga deputeti, Fatmir Mediu “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore, të ndryshuar” u hodh poshtë me 75 vota kundër.Punimet vijuan me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës, ku deputetit i PD-së, Bedri Hoxha dënoi sulmin e kryer ndaj monumentit të ish-Mbretit Ahmet Zogu. Pas përfundimit të fjalës së z. Hoxha, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi se distancohet nga ky akt i dhunshëm ndaj kësaj figure të së kaluarës dhe ftoi të gjithë për tolerancë dhe për bashkëjetesë. Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 19:00