Sekuestrohen 4 mina me telekomande gati për shitje, policia arreston 2 persona VIDEO/FOTO
Nga OraNews Përditësimi i fundit 10 Prill 2014, 19:38
Drejtoria e policisë së qarkut Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, pas një pune hetimore prej dy muajsh, kanë finalizuar me sukses një operacion kundër trafikimit të bombave me telekomandë.Operacioni u zhvillua rreth orës 18:00 të pasdites së sotme, ndërsa policia ka bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve:-Pjetër Babaj, 58 vjeç, banues në lagjen” Tre heronjtë” të qytetit të Shkodrës-Lulzim Toska, 36 vjeç, banues në lagjen “29 nëntori” të qytetit të Shkodrës
(Në foto poshtë sasia e municioneve dhe armëve luftarake të sekustruara gjatë operacionit, si dhe mjeti i njërit prej të arrestuarve”

Gjatë këtij operacioni policia sekuestroi në cilësinë e provave materiale 4 copë mina me telekomandë, 6 copë kapsolla elektrike, aksesorë ndihmës për vënien në funskionim të minave me telekomandë, 4 armë zjarri pistoletë, rreth 30 fishekë pistoletë 50 fishekë automatiku dhe një silenciator.
Në njoftimin për mediat, policia bën me dije se fillimisht blutë kanë arrestuar në urën e Bunës, Pjetër Babaj, i dënuar edhe më parë për trafik armësh. Në automjetin e tij policia gjeti dy minat me sahat. Pas kontrollit të banesës në lagjen “Tre Heronjtë” u bë e mundur të gjendeshin edhe mina të tjera, sëbashku me kapsollat elektrike dhe aksesorët e tjerë.
Bazuar në informacionet e mbledhura gjatë hetimit 2 mujor, menjëherë policia vijoi kontrollin në banesën e shtetasit Lulzim Toska, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i Babajt. Në këtë banesë u gjetën 4 armë zjarri pistoleta dhe një silenciator.
Nga ana e policisë vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa materialet proceduriale do ti kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprat penale të “Trafikimit të armëve dhe municioneve dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftrake dhe municioneve”.