“Monopolizohet” tregu, karburantet nën kontrollin e tre kompanive të huaja

Karburantet do të pësojnë një tjetër rritje të çmimit të paktën me 10 lekë si pasojë e markimit.Kjo pasi ngjyrosja e karburanteve tashmë do të realizohet nga një bashkim i tre shoqërive të huaja, të cilat do të krijojnë monopol në tregun shqiptar.Deri në këto momente markimi i karburanteve, i cili është një procedurë e cila shërben për të luftuar kontrabandën realizohej nga vetë subjektet që i tregtonin duke pasur kështu një kosto më të vogël.Ndërkohë që në bazë të vendimit më të fundit, i cili pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave të drejtën e markimit apo ngjyrosjen do ta kenë vetëm tre kompanitë e huaja dhe asnjë institucion tjetër, duke nxjerrë jashtë funksionit institucionet shtetërore të cilat e kanë këtë përgjegjësi.Në bazë të këtij vendimi Qeveria do të japë me konçesion shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve në Republikën e Shqipërisë. Tregëtuesit e karburanteve në vendin tonë shprehen se kjo kosto do të bjerë mbi konsumtarorin shqiptar por edhe mbi veprimtarinë e tyre. Në Shqipëri qarkullojnë rreth 2 milion tonë karburanteve në vit dhe duke bërë një llogari të thjeshtë fitimi i këtyre kompanive të huaja shkon në rreth 100 milion euro në vit.Një shumë kjo mjaft e konsiderueshme e cila mund të përfundonte në buxhetin e shtetit shqiptar. Në bazë të marrëveshjes cdo subjekt duhet të blejë shërbimet në këto kompani, duke paguar 614 lekë për 1 mijë litra naftë të ardhura këto që do të përfundonin jashtë Shqipërisë.E drejta e markimit në vendet e Bashkimit Europian nuk realizohet prej një kompanie monopol duke i dhënë kështu mundësi subjekteve tregtuese që të zgjedhin dhe natyrisht, duke rritur edhe cilësinë e shërbimit në bazë të konkurencës.