Llalla kod të ri etik për prokurorët: Në vëzhgim dhe pas orarit zyrtar të punës VIDEO

Prokuroria bën gati draftin për Kodin e Ri të Etikës së prokurorëve.Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla duke prezantuar Kodin e Ri të Etikës paralajmëroi dënim të ashpër për çdo prokuror që do ta shkelë atë.Në një takim me prokurorët, Llalla pranoi se ka prokurorë që shkelin etikën por theksoi se do të jetë një strukturë e posaçme që do t`i monitorojë dhe do të veprojë mbi ta.“Janë vetëm një grup i vogël prokurorësh që nuk respektojnë etikën dhe veprojnë në kundërshtim me të. Do të ngrihet një strukturë e re e posaçme, që do të monitorojë etikën, Inspektoriati i Etikës. Jap garanci, që kushdo prokuror, që do të shkelë etikën, do të marrë dënim të ashpër. Kërkoj respektimin e etikës edhe jashtë orarit zyrtar, që prokurori ushtron detyrën. Nëse ka prokurorë që nuk pranojnë kushtet e etikës, të krijojnë hapësira për njerëz të tjerë. Nëse prokurorët nuk pranojnë kushtet e etikës do të jetë struktura që do të veprojë mbi ta” deklaroi Llalla.(Ne foto: Takimi i sotëm i Kryeprokurorit me prokurorët ku u prezantua Kodi Etik)Fjala e kryeprokurorit Adriatik Llalla sot para prokurorëveProkuroria e Përgjithshme bën gati draftin për Kodin e Ri të Etikës së prokurorëve, pasi Kodi aktual i miratuar në vitin 2005 nga Shoqata e Prokurorive nuk përmbush kërkesat pëër forcimin e integritetit moral të prokurorisëSë pari, ju falenderojmë që jeni të pranishëm dhe që jeni pjesë e diskutimeve për Kodin e Etikës së prokurorëve.Shqipëria është në një fazë shumë të rëndësishme në rrugën drejt Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, Prokuroria Shqiptare është e angazhuar të adaptojë standartet perëndimore në aktivitetin institucional.Tashmë është përfunduar drafti i Kodit të ri të Etikës së Prokurorëve, një dokument i hartuar me asistencën e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, OPDAT, të cilët i falenderojmë. Po ashtu, një falenderim i veçantë u shkon edhe partnerëve të Bashkimit Europian, për organizimin dhe ofrimin e ekspertëve në këtë këtij takim.Aktualisht ekziston një Kod Etike, i miratuar në vitin 2005 nga Shoqata e Prokurorëve, i cili nuk përmbush kërkesat për ruajtjen dhe forcimin e integritetit moral të prokurorëve.Për këtë arsye, u vlerësua shumë e nevojshme që të ridimensionohej ky akt dhe të përfshihej në aktet nënligjore, me fuqi detyruese, të miratuara nga Prokurori i Përgjithshëm.Kodi i ri i Etikës përcakton parimet bazë të sjelljes, të cilat ndalojnë veprimet në kundërshtim me interesat publike. Kodi, natyrisht, nuk mund të zëvendësojë procedurën që ndjekin prokurorët në zbatim të ligjit. Por qëllimi i tij është dhënia e rekomandimeve të detyrueshme për prokurorët në veprimtarinë e tyre.Ky Kod nuk mund të konsiderohet si një përshkrim i plotë i normave të sjelljes. Gjithësesi, detyra e tij është që të përshkruajë ato parime themelore të normave etike, të cilat duhet të bëhen dominuese në veprimet dhe sjelljen e Prokurorëve.Dokumenti i ri bazohet në gjashtë parime bazë, të cilat ndikojnë pozitivisht në rolin e prokurorit, si gjatë ushtrimit të detyrës, ashtu edhe jashtë saj: Pavarësia, Paanësia, Objektiviteti, Iniciativa, Dinjiteti dhe Bashkëpunimi.Ndër risitë më të rëndësishme në draftin e ri mund të përmendim normimin e sjelljes së prokurorit jashtë orarit zyrtar. Prokurori, pavarësisht rrethanave dhe kushteve, duhet të jetë i aftë që të reflektojë dinjitet moral dhe profesional.Prokuroria është përballur gjatë dy dekadave të fundit me mungesën e besimit nga ana e opinionit publik. Kjo, për faktin se prokurorë të ndryshëm nuk kanë respektuar pikërisht parimet bazë të etikës.Në momentin e marrjes së detyrës, Prokurori i Përgjithshëm e ka cilësuar si një ndër prioritetet e tij forcimin e besimit të publikut mbi organin e prokurorisë.Kodi i ri i Etikës është pikërisht hapi i parë që synon të përmbush këtë prioritet. E ritheksojmë një qëndrim të shprehur edhe një vit më parë; janë vetëm një numër i kufizuar prokurorësh që veprojnë në kundërshtim me normat e etikës.Por, efekti i veprimeve të tyre ndikon në të gjithë trupën e prokurorëve që ushtrojnë me korrektesë dhe dinjitet detyrën.Për monitorimin e etikës së prokurorëve, Kodi i ri ka parashikuar krijimin e një strukture të posaçme; Inspektorin e Etikës.Kjo njësi do të komunikojë drejtpërdrejtë me Prokurorin e Përgjithshëm dhe do të marrë të gjitha hapat e nevojshme për të përmirësuar performancën e prokurorëve. Ju garantoj se disa prej masave mund të jenë shumë të ashpra. Por, mendojmë se është e nevojshme për të forcuar integritetin e prokurorëve në ushtrimin e detyrës, sidomos jashtë saj. E ritheksoj etikën jashtë orarit zyrtar, pasi për opinionin publik, ky është momenti kur prokurori shmanget nga disa prej parimeve bazë të sjelljes funksionale dhe ligjore.Të nderuar kolegë,Forcimi i besimit të opinionit publik nuk arrihet vetëm me shprehje vullneti, me diskutime në tryeza dhe me akte nënligjore. Nuk arrihet me imponim, por vetëm me korrektesë maksimale në përmbushjen e detyrës. Kjo është një sfidë, për të cilën punohet çdo ditë dhe nga secili prej nesh. Nëse ka prokurorë, të cilët nuk pranojnë të përmbushin parimet bazë të etikës, në këtë fazë janë të mirëpritur që të krijojnë hapësira për njerëz të tjerë. Në të kundërt, në një kohë shumë të shpejtë do të jetë struktura që do të veprojë mbi ta.