Krasniqi kundër Jahjagës e Thaçit: S'na pyetën për gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë VIDEO
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, ka reaguar pas deklaratës së Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë ndërkombëtare.Krasniqi ka publikuar një shkrim në faqen e tij zyrtare në në rrjetin social facebook përmes të cilit i jep disa këshilla miqësore presidentes së vendit, por duke i rikujtuar se vendimet e saj dhe të Kryeministrit po e fusin vendin në një udhëkryq tepër të rrezikshëm.“Presidente, Ju dhe Kryeministri jeni duke marr vendime të rëndësishme për popullin dhe shtetin pa u konsultuar me askë. Me veprimet e tilla jeni duke treguar se nuk e dini sesi duhet të silleni si zyrtarë të lartë të shtetit demokratik, jeni duke u sjellë si tiranë e despotë të gjithëdijshëm e të plotfuqishëm. Me veprimet e tuaja kryeneçe e keni futur vendin në një udhëkryq tepër të rrezikshëm e me pasoja të pa parashikueshme për vendin dhe kombin. Ju jeni përgjegjësit kryesor për ta mbrojtur Kushtetutën dhe sovranitetin e këtij shteti”, ka shkruar Krasniqi.Më tej Krasniqi i ka rikujtuar Presidentes se ajo është zgjedhur nga përfaqësuesit e zgjedhur në Kosovës, Grupet Parlamentare dhe Partitë Politike në Kuvendin e Kosovës dhe se sipas tij Presidentja nuk duhej të deklarohej për gjykatën pa u konsultuar me këta të fundit.“Ju, zonja Presidente në atë postë jeni zgjedhur nga përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës, nga përfaqësuesit e GP që përfaqësojnë partitë politike në Kuvendin e Kosovës dhe keni pasur një obligim kushtetues e njerëzor të konsultoheshit me liderët e atyre partive dhe me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës e tek pastaj të deklaroheshit për ose kundër, Tribunalin(Gjykatën) për krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së”, ka shkruar Krasniqi.Në fund të shkrimit, kryeparlamentari Krasniqi, njëherësh dhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, i ka thënë presidentes se ‘ai që nuk di, duhet të pyesë’.“Ketë që e shkrova, merreni si këshillë miqësore, mos e merreni si kritikë. Populli thotë: " Kush vetë nuk tretë". Ju, nëse nuk dini, duhet t'i pyetni ata që dinë t'ju këshillojnë. Paraprakisht ju falënderoj për mirëkuptim”, ka përfunduar së shkruari Krasniqi.