Itali, i riu shqiptar ekzekutohet me plumb në ballë FOTO
Një i ri shqiptar është ekzekutuar me armë zjarri mesditen e sotme në shtetin fqinj, Itali. Ngjarja ka ndodhur në Leçe, ndërsa viktimë ka mbetur 23-vjeçari, Qamil Hyraj.
Burime nga policia italiane, bëjnë me dije se të riut, i cili punonte si bari në një fermë, i është zënë pritë ndërsa po nxitonte për në punë, ku dhe është qëlluar me armë.
Ka qenë pikërisht pronari i Hyraj që ka gjetur trupin e pajetë të 23-vjeçarit, ndërsa shkonte për ti çuar ushqim, ku më pas ka njoftuar dhe policinë.
Po sipas policisë italiane, bariu shqiptar është qëlluar me 1 plumb pistolete në balle, i cili i ka shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme. Nga hetimet paraprake, dyshohet për vrasje mafioze, kjo nga mënyra se si është ekzekutuar i riu.
Policia ka dyshime të forta se ngjarja ka si shkak larjen e hesapeve të drogës, pasi mendohet që 23-vjeçari Hyraj të ketë qenë korrier droge.Megjithatë Hyraj njihej në zonë si një djalosh i qetë dhe i qeshur. Banorë të zonës thonë se ai e bënte shpesh rrugën Itali-Shqipëri, por asnjëherë nuk ka pasur precedentë penalë.