Nikoliç: Qeveria e re serbe duhet të hartojë marrëveshje të re me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliç, ka deklaruar se qeveria e re serbe e dalë pas zgjedhjeve të marsit duhet të hartojë një marrëveshje të re me Kosovën. Ndërsa ka shprehur bindjen se kabineti i ri qeveritar që do të drejtohet nga zëvendëskryeministri aktual Aleksandar Vuçiç do të vijojë me proçeset e integrimit dhe reformave.Në konferencën për gazetarë në Beograd, pas bisedimeve me presidentin e Çekisë, Millosh Zeman, Nikolliç ka thënë se qeveria e re duhet të propozojë strategji se si të vazhdojë dialogun me Prishtinën dhe se për këtë duhet të shprehet edhe Kuvendi i Serbisë.Nikolliç theksoi se marrëveshja e re për dialogun me Prishtinën është e nevojshme për shkak të rrethanave të reja, si rishikimi i mandatit të EULEX-it, por edhe situatës së krijuar në botë.Nikoliç tha se ai është i gatshëm të propozojë rezolutë të re, nëse i kërkohet një gjë e tillë. Qeveria e re serbe pritet të marrë detyrën në fund të këtij muaji. Ndërkohë kryeminsitri i ardhshëm, Aleksandar Vuçic, u ka bërë thirrje vendeve evropiane që të mos e detyrojnë Serbinë që të marrë qëndrim armiqësor ndaj Rusisë, në rastin e krizës në Ukrainë."Serbia ka vetëm një dëshirë dhe një lutje për aleatët evropianë: Mos na detyroni të jemi armiq të Rusisë. Mendoj se kjo është një qasje e drejtë dhe e sinqertë e Serbisë", ka thënë Vuçiç.Sipas tij, kjo çështje nuk është e lehtë për Serbinë, sepse sipas tij "ata që mbrojnë sot integritetin territorial të Ukrainës, dikur kanë shkelur integritetin territorial të Serbisë".