5 vjet në NATO, Nishani ceremoni festive,mungojnë Rama-Meta (Foto)

Presidenti Nishani organizoi një ceremoni për 5 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në ceremoni munguan kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Meta, ndërsa e pranishme ishte Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Mes të ftuarve ishte dhe Drejtori për Evropën Juglindore në Departamentin amerikan të Shtetit, Xhonatan Moore.Ndërsa iu drejtua të pranishmëve, Presidenti theksoi se me anëtarësimin në NATO Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe se objektivi i radhës është integrimi i saj në BE. Ai vuri në dukje kontributin që vendi ynë po jep në stabilitetin rajonal dhe paqen në botë.“Me anëtarësimin në NATO Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe objektiv parësor të politikës së jashtme. Integrimi në BE mbetet tashmë objektivi ynë parësor strategjik. Duhet të forcojmë demokracinë funksionale, të ndërtojmë një administratë funksionale, të reformojmë drejtësinë bazuar në meritë, transparencë, por mbi të gjitha na duhet dialog i vazhdueshëm politik me rrahje argumentesh për të gjetur konsensusin e domosdoshëm. Marrja e statusit të vendit kandidat do ishte përshkrim i një etape në intenerarin tonë evropian. Falënderoj të gjithë aktorët politik dhe jo vetëm ata për kontributin që kanë dhënë në këtë proces. Siguria e çdo vendi dhe e një vendi të vogël si Shqipëria është e lidhur ngushtë me mbrojtjen kolektive që ofron NATO. Varet nga situata rajonale dhe preket nga ndryshimet globale. Shqipëria ka hyrë në mënyrë të merituar e vetëdijshme dhe e përgjegjshme që duhet të kontribuojë për sigurinë në nivel rajonal dhe paqen kudo në botë. Ka marrë pjesë me misionet e saj në Bosnje- Hercegovinë, Irak dhe Afganistan. Shqipëria do jetë kontributore e vendosur për paqen dhe stabilitetin në rajon. Politika jonë në rajon ka si bazë. Pasi kemi çrrënjosur mosbesimin ne po rrënjosim çdo ditë mirëbesimin” tha Nishani.Gjatë fjalës së tij, Presidenti foli dhe për krahasimin e çështjes së Krimesë me Kosovën, të cilin e cilësoi një përpjekje të dobët. Për Nishanin, aneksimi i Krimesë nga Rusia tregoi se siguria në rajon nuk është imune dhe theksoi se Shqipëria mbështet SHBA në qëndrimet e saj ndaj Rusisë.“Zhvillimet e fundit dëshmojnë se siguria në rajonet nuk është imune nga kërcënimet. Aneksimi i Krimesh nga Rusia mund të ndikojë për një periudhë afatgjatë. Ky aneksim u realizua duke zbatuar politikën e faktit të kryer. Krahasimi me Kosovën është një përpjekje e dobët për tu justifikuar me anë të precedentit. Pavarësia e Kosovës erdhi si rrjedhojë e shpërbërjes së dhunshme dhe jo konsensuale të ish- Jugosllavisë. Kosova u shfaq si shtet i pa varur pas shumë vitesh negociatash ndërkombëtare nga Kombet e Bashkuara për të zgjidhur krizën. Kosova e mirëpriti angazhimin e trupave dhe administratës ndërkombëtare. Shqipëria mbështet aleatët tanë në qëndrimet e vazhdueshme ndaj Rusisë. Hapësira euroatlantike po përballet dhe do përballet edhe në të ardhmen me rreziqe nga terrorizmi global, armët kimike, dhe të tjera kërcënime asimetrike dhe hibride ndaj të cilave është e ekspozuar edhe Shqipëria. Ne po punojmë për rritjen e rolit të Shqipërisë në çështjen e sigurisë dhe mbrojtjes. Kjo është mënyra më e mirë për të rritur vetëbesimin dhe mirënjohjen ndaj aleatëve tanë veçantërisht SHBA që ishin mbështetësit kryesor të anëtarësimit në NATO”deklaroi Nishani.Ceremonia u përshëndet edhe nga ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu. Duke cituar një deklaratë të sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, Arvizu theksoi se politika e dyerve të hapura e ndjekur nga NATO ka forcuar stabilitetin dhe demokracinë.“Rreth 20 vite më parë Shqipëria nisi rrugëtimin për në NATO. Përmes një pune të madhe Shqipëria ju bashkua NATO-s në 1 prill 2009. Rruga që Shqipëria ndoqi ishte e gjatë por pasqyronte dëshirën e të gjithë palëve për të kapërcyer linjat partiake. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, thotë në emër të presidentit Obama unë përshëndes përvjetorët e 5-të,10-të,15-të, të zgjerimit të NATO-s dhe jam krenar që futjet e reja e kanë forcuar aleancën. Në 12 mars 1999 ju bashkua Hungaria, Polonia dhe Çekia. Në 1 prill 2009 ju bashkua Shqipëria dhe Kroacia. NATO është më fortë se të gjithë anëtarët e saj ndajnë të njëjtat vlera. Politika e dyerve të hapura nuk ka lejuar thjesht më shumë anëtarë por ka zgjedhuar demokracinë dhe stabilitetin në Evropë dhe anembanë globit. Vit pas viti anëtarët më të rinj kanë dëshmuar guximin e tyre këtë e kam par në Afganistan ku anëtarët kanë vepruar me guxim të jashtëzakonshëm dhe devotshmëri. SHBA bashkohet me aleatët se dyert e NATO-s mbeten të hapura për çdo vend që është në gjendje të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit. Sfida jon sot është të punojmë drejt një Evrope që është e lirë, e plotë dhe në paqe. SHBA ju përgëzojnë ju dhe Shqipërinë për 5 vitet e frytshme të anëtarësimit në NATO” tha Ambasadori amerikan.