Kosovari kundërshton deportimin nga Gjermania, merr peng avionin (Video)
Një shtetas kosovar ka alarmuar policinë gjermane, ndërsa ka marrë peng avionin me të cilin udhëtonte, sëbashku me 75 udhëtarë në bord. Mediat gjermane raportojnë se kosovari i identifikuar si Muslim. H, ka marrë peng avionin me 75 udhëtarë në bord, të nisur nga Minheni, gjatë fluturimit për në Budapest të Hungarisë, në shenje proteste ndaj deportimit të tij nga Gjermania.Por fatmirësisht e gjithë ngjarja ka përfunduar pa pasoja, pasi autoritetet policore kanë mundur të vënë në kontroll situatën. Po sipas mediave gjermane, 28 vjeçari kosovar ka marrë peng një stjuardesë 50- vjeçare dhe me këtë e ka detyruar avionin Airbus A320 që të kthehet në aeroportin e Minhenit.
Fillimisht pasagjeri kosovar ka biseduar me stjuardesën me të cilën më pas është mbyllur në një nga tualetet e avionit. Gjatë këtij problemi, 15 minuta pas nisjes, aeroplani i linjës Minhen–Budapest është kthyer për në aeroportin “Franz Josef Straus” të qytetit jugor gjerman.“Fjala është për një pengmarrje të shkurtër në bord”, konfirmon zëdhënësi i prokurorisë në Landshut.Pas rikthimit në aeroportin e Minhenit dhe pas largimit nga bordi të pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit, policia është futur në avion. Pengmarrësi është dorëzuar pa kundërshtuar fare dhe më pas është arrestuar nga policia.Ndërkaq nga raportimet mësohet se tre stjuardesa kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore. Autori i kësaj ngjarje sipas mediave gjermane donte të kundërshtonte vendimin për largimin e tij nga Gjermania, pasi i është refuzuar kërkesa për azil.