Vuçiç: I gatshëm të takohem me Ramën, një takim i tillë i rëndësishëm për Serbinë

Kryeminsitri i ardhshëm i Serbisë, Alexander Vuçiç, në një interviste për Deutsche Welle ka shprehur gadishmërinë për tu takuar me kryeminsitrin Edi Rama. Vizita e planifikuar e Ramës në fillim të shkurtit në Beograd, e para e një Kryeministri shqiptar pas më shumë se gjysmë shekulli, u shty për shkak të fushatës zgjedhore në Serbi. Por Vuçiç, që më 27 prill do të marrë drejtimin e qeverisë tha se ai e mirëpret një takim me Ramën.“Sa i përket takimeve me zotin Rama, unë jam i gatshëm në çdo moment të takohem me të në Beograd apo në Tiranë. Thënë qartë: jam plotësisht i gatshëm për takim dhe bisedime me të. Mendoj se zoti Rama dhe unë do të takohemi dhe do të bisedojmë gjatë këtij viti. Për mua është absolutisht e parëndësishme se ku do të takohemi, unë nuk vuaj nga gjëra të këtilla. Unë mendoj se një takim i tillë është i rëndësishëm për Serbinë. Puna ime është që të mbroj interesat e Serbisë dhe mendoj se është me rëndësi që të takohem me kryeminisrin e Shqipërisë. Mendoj se një takim i tillë në asnjë mënyrë nuk do të destabilizonte rajonin. Përkundrazi”u shpreh ai.Ndërkohë duke folur për dialgun me Kosovën, Vuçiç ka deklaruar se ai do të zbatojë marrëveshjen e Brukselit.“Nuk do t'u shmangem obligimeve të mia, sepse detyra jonë është që të flasim me shqiptarët e Kosovës. Edhe pse jo rrallë kemi pasur konflikte, nga unë nuk do të dëgjoni asnjë fjalë të keqe apo fjalë të rëndë për njerëzit e delegacionit shqiptar. Kjo është një punë shumë e rëndë për të dy palët. Shpresoj se gjithmonë do të mund të bisedojmë së bashku. Gjithmonë mund dhe duhet të flasim së bashku dhe shpresoj se shumicën e problemeve do t'i zgjidhim së bashku” tha Vuçiç.Aleksander Vuçiç pritet të drejtojë delegacionin e Serbisë në takimin e radhës në Bruksel që do të mbahet më 29 prill, takim ku sipas tij palët do të arrijnë marrëveshje për organet e gjyqësorit dhe drejtësinë.