Ndërtimi i spitalit psikiatrik,Beqja: Do t`i kthejmë dinjitetin personave në nevojë

Ish-Regjimenti i Kimisë, në Shtish-Tufinë në Tiranë do të kthehet në një spital të psikiatrisë ligjore dhe në një qendër kurative për të sëmurët me probleme të kolonës vertebrale.  Kjo në sajë të një vendimi të Këshillit të Ministrave sipas së cilit kjo zonë nga Ministria e Mbrojtjes kalon në varësi të ministrisë së Shëndetësisë.Ndërsa ka inspektuar nga afër zonën, ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj theksoi se pasi të gjenden financimet do të nisë puna për ndërtimin e spitalit psikiatrik.“Edhe opinioni është i njohur me një vendim të këshillit të ministrave që ky territor të kalojë nga ministria e mbrojtjes në ministrinë e shëndetësisë. Ne kemi filluar punën konkrete për të ndërtuar institutin e posacëm, siç quhet spitalin e psikiatrisë ligjore. Është një detyrim i kahershëm, është një kërkesë për t`i dhënë kujdesin dhe dinjitetin personave të cilët kanë nevojë për këtë shërbim. Është në raportet e përditshme të Avokatit të Popullit.  Jemi duke diskutuar në komisionin e BE-së për të bërë të mundur të gjejmë financimet për të filluar ndërtimin e këtij spitali” tha ministri Beqja.Ndërsa Avokati i Popullit Igli Totozani e ka cilësuar ndërtimin e këtij spitali si një fitore të institucionit që ai drejton pasi sipas tij gjatë këtyre viteve janë privuar të drejtat e personave për të cilët gjykata ka dhënë masë shëndetësore.“Kjo është një ditë e shënuar për të gjithë stafin e avokatit të popullit pasi prej 12-13 vjetësh kjo është kërkesë e pandryshuar e avokatit të popullit. Nëse ju do të pyesni se cila ka qënë shkelja më e madhe, më e rëndë, më e vazhdueshme e të drejtave të njeriut në Shqipëri pas asnjë ekzagjerim është se për të gjithë ata persona që gjykata ka dhënë masë shëndetësore, mjekim të detyrueshëm që mbahen në regjim burgu kjo është shkelja më e rëndë e të drejtave të njeriut. Janë mbi 120 persona që gjendne në spita të burgje por që janë në regjim burgu. Për këta persona gjykata ka dhënë masë shëndetësore dhe jo një dënim prandaj jemi në kushtet e një privimi të paligjshëm të lirisë dhe kjo është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut” tha Totozani.